Më di a nuk më di se vuaj në orët e thella të natës, kur ndjehem nga jeta i huaj, nga vendi i lemjes i huaj.
Mitrush Kuteli, 1942
Përvjetori i Pavarësisë së atdheut nuk ka ardhur ndonjëherë më i trishtë se sot. Më parë, sado keq na ka gjetur 28 nëntori, ka patur çdo herë shpresë, shpresë se ditët e lumtura do të vinë. Sot, shpresë nuk ka. Sot, shumica jonë jetojmë vetëm më shpresën e fatit të llotarisë amerikane; me shpresën se gjermanët do ta kuptojnë sa i tmershëm është vendi jonë e do na mëshirojnë si emigrantë në vendin e tyre. Sot, ne e dimë që ditët e lumtura nuk do të vijnë në atdheun tonë. Lumturia e vetme që do mund të na japë atdheu është lumturia e ikjes prej tij, ikjes pa kthim. Ikja na shëron edhe dashurinë për atdheun. Se ikja na e çliron dashurinë për të nga dhimbjet e forta të jetës në të, nga lëndimi i dinjitetit njerëzor në të, nga mjerimi i ndërshmërisë në të. Si gjithmonë, atdheu ynë është i dashur vetëm në braktisje. Braktisja e shpëton dhe mban gjallë dashurinë për të. Dhe ne dimë të braktisim si askush tjetër. Fillimisht, braktisim veten. Pastaj atdheun. Dhe ikim. Braktisje epike! Gëzuar pavarësinë, Atdhe!
