
Sot është dita e 10-të e asaj që tashmë njihet si Revolucioni i Flamingove. Është ende herët për të gjykuar nëse lëvizja do të arrijë objektivat e saj maksimaliste apo se si do të zhvillohet përplasja në javët dhe muajt e ardhshëm.
Megjithatë, ajo ka prodhuar tashmë së paku 10 pasoja politike, shoqërore dhe simbolike që vështirë se mund të zhbëhen.
Këto arritje ndihmojnë të kuptohet pse një protestë e nisur në periferi të Vlorës është shndërruar në fenomenin më domethënës qytetar dhe politik që ka njohur Shqipëria prej dekadash.
1. Përhapja e shpejtë nga periferia në qendër
Lëvizja arriti të kapërcejë me sukses një hendek të madh gjeografik. Është jashtëzakonisht e vështirë të kalosh nga një protestë rurale e bregdetare shumë të lokalizuar (nga Zvërneci dhe Narta) në një mobilizim masiv urban. Nga fillimi i qershorit, organizatorët zhvendosën me sukses epiqendrën në Sheshin Skënderbej të Tiranës, duke e kthyer një pakënaqësi rajonale në një prioritet kombëtar. Shumica e protestave lokale mbeten të tilla sepse nuk arrijnë ta bindin publikun kombëtar se problemi i tyre është një problem i përbashkët.
Ndryshe nga Kakomeja, Tragjasi, Rrjolli, Zall-Gjoçaj , hidrocentralet në Valbonë apo konfliktet e shumta territoriale të dy dekadave të fundit, të cilat mbetën kryesisht beteja të komuniteteve të prekura drejtpërdrejt, Revolucioni i Flamingove duket se ka arritur atë që literatura e lëvizjeve shoqërore në termat e McAdam dhe Tarrow e konsideron një rast klasik të "ndryshimit të shkallës së konfliktit", ku një çështje lokale fiton rëndësi kombëtare dhe fillon të perceptohet si simptomë e problemeve më të gjera të sistemit politik. Historikisht, shumica e lëvizjeve nuk arrijnë ta kalojnë këtë faze por Revolucioni i Flamingove e kaloi me sukses.
2. Ndërtimi i një koalicioni të pazakontë shoqëror duke ruajtur karakterin jopartiak
Një nga arritjet më të rralla të Revolucionit të Flamingove ka qenë aftësia për të ndërtuar një koalicion jashtëzakonisht të gjerë shoqëror pa u shndërruar në instrument të ndonjë partie politike. Dy studiuesit e sipërpërmendur argumentojnë se aftësia për të zgjeruar koalicionin përtej grupit fillestar të të prekurve është një nga kushtet themelore për kalimin nga një protestë e zakonshme në një lëvizje me ndikim kombëtar. Shumica e mobilizimeve dështojnë pikërisht sepse mbeten të kufizuara brenda një grupi të vetëm interesi, një komuniteti lokal, një profesioni apo një identiteti politik. Sa më e ngushtë të jetë baza sociale, aq më e lehtë bëhet izolimi, stigmatizimi ose neutralizimi i saj.
Revolucioni i Flamingove arriti të prodhojë të kundërtën. Ai bashkoi ambientalistë dhe patriotë, studentë dhe pensionistë, artistë dhe sipërmarrës, akademikë dhe banorë lokalë, emigrantë dhe rezidentë, votues të majtë dhe të djathtë, si dhe shumë qytetarë që nuk identifikohen më me asnjë forcë politike. Kjo e transformoi lëvizjen nga një kauzë sektoriale në një hapësirë të gjerë identifikimi qytetar.
Pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia e karakterit të saj jopartiak. Në Shqipëri, pothuajse çdo protestë e madhe përfundon duke u përthithur nga logjika e konfliktit mes partive. Sapo një mobilizim identifikohet me njërin krah politik, ai humbet aftësinë për të tërhequr mbështetës nga kampi tjetër dhe reduktohet në një kapitull të radhës të polarizimit ekzistues. Revolucioni i Flamingove shmangu me vetëdije këtë kurth. Mungesa e flamujve partiakë, refuzimi i protagonizmit të figurave politike tradicionale dhe insistimi për të ruajtur një identitet qytetar autonom i lejoi lëvizjes të ndërtojë një bazë mbështetëse shumë më të gjerë sesa do të ishte e mundur nëse do të identifikohej me një kamp të caktuar.
Nga perspektiva teorike, kjo përbën një formë të ruajtjes së autonomisë së lëvizjes, një element që studiuesit e lëvizjeve shoqërore e konsiderojnë thelbësor për mbijetesën dhe zgjerimin e mobilizimit. Në vend që të shndërrohej në zgjatim të opozitës, lëvizja ruajti aftësinë për të kritikuar njëkohësisht qeverinë, opozitën dhe vetë logjikën e sistemit politik. Kjo e bëri shumë më të vështirë delegjitimimin e saj përmes etiketave partiake dhe shumë më të lehtë identifikimin e qytetarëve të zakonshëm me kauzën.
Duke ndërtuar një koalicion kaq të gjerë shoqëror, lëvizja rriti ndjeshëm koston e indiferencës, e detyroi qeverinë të kalojë nga shpërfillja në mbrojtje të vazhdueshme të projektit dhe krijoi rreziqe serioze reputacionale për të gjithë protagonistët e përfshirë, brenda dhe jashtë vendit, duke prodhuar një klimë politike e publike që i ngjan gjithnjë e më shumë asaj që çoi edhe në tërheqjen e Kushnerit në dhjetorin e kaluar nga një investim i ngjashëm kontraversal në Beograd.
3. Thyerja e monopolit të ppozitës së kontrolluar
Një nga arritjet më të rëndësishme të Revolucionit të Flamingove ka qenë aftësia për t'i rezistuar kooptimit nga opozita tradicionale dhe për të sfiduar një nga mekanizmat më të qëndrueshëm të politikës shqiptare pas viteve 1990. Për më shumë se tre dekada, sistemi politik shqiptar është organizuar rreth një duopoli të qëndrueshëm mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Përtej retorikës së ashpër publike, këto dy parti kanë funksionuar si kastë, si dy krahë të të njëjtit rend politik, duke alternuar pushtetin, por duke ruajtur monopolin mbi përfaqësimin e pakënaqësisë shoqërore dhe duke aplikuar të njëjtin model abuziv qeverisje; duke bashkëpunuar me të njëjtit oligarkë e duke manifestuar të njëjtat tendenca autoritare.
Roli historik i opozitës nuk ka qenë të rrëzojë status quo-në, por shpesh të kanalizojë, kontrollojë dhe neutralizojë energjinë e pakënaqësisë brenda kufijve që nuk rrezikojnë vetë arkitekturën e sistemit. Pra opozita tradicionale është parë si menaxhuese e zemërimit qytetar pa e lënë të kthehet në kërcënim real për sistemin dhe për këtë rol shpërblehet me pazare, favore, poste, leje, imunitet, tendera dhe pjesën e vet në plaçkën e pushtetit. Pikërisht për këtë arsye, shfaqja e një lëvizjeje autonome qytetare u perceptua si kërcënim jo vetëm nga pushteti, por edhe nga ata që prej vitesh kanë pretenduar monopolin e kundërshtimit ndaj tij.
Kjo logjikë i afrohet asaj që Peter Mair e përshkruante si fenomeni i "kartelizimit të partive", ku rivaliteti elektoral bashkëjeton me interesa të përbashkëta të elitave politike për ruajtjen e kontrollit mbi sistemin. Në këto kushte, zemërimi qytetar nuk sfidon domosdoshmërisht rendin ekzistues, por kanalizohet përmes aktorëve që kanë interes në riprodhimin e tij. Pikërisht për këtë arsye, fakti që Revolucioni i Flamingove refuzoi të identifikohej me opozitën tradicionale përbën një zhvillim me rëndësi të veçantë. Protestuesit nuk kufizuan kritikat vetëm ndaj qeverisë së Edi Ramës, por protestuan edhe përpara selisë së Partisë Demokratike dhe artikuluan kritika të drejtpërdrejta ndaj lidershipit opozitar. Në terma teorikë, kjo përfaqëson një refuzim të rolit tradicional të opozitës si ndërmjetëse ekskluzive e pakënaqësisë shoqërore.
Ndoshta jo rastësisht, reagimet e para më agresive ndaj lëvizjes nuk erdhën vetëm nga pushteti, por edhe nga segmente të opozitës tradicionale. Përpjekjet për ta delegjitimuar lëvizjen, anti-mitingu i parë kundër nismës së hormoneve dhe etiketimet e protestuesve si soroistë apo ushtarë të Erion Veliajt, nuk janë gjë tjetër përveccse si shenja të shqetësimit përballë një lëvizje që po sfidon jo vetëm qeverinë, por edhe monopolin tradicional të partive mbi përfaqësimin e pakënaqësisë publike. Për herë të parë, publiku pa atë që mund të përshkruhet si fenomeni i një opozite që i bën opozitë vetë opozitarizmit apo reagimi i një alternative që s'do alternativa. Në këtë kuptim, Revolucioni i Flamingove nuk përbën vetëm një sfidë ndaj një qeverie të caktuar, por ndaj vetë modelit të ndërmjetësimit politik dhe mbarë elitës politike që ka dominuar Shqipërinë gjatë tranzicionit.
4. Thyerja e monopolit mediatik
Një nga sukseset më të rëndësishme të Revolucionit të Flamingove ka qenë depërtimi në një hapësirë publike që prej vitesh kontrollohet jo vetëm përmes pushtetit politik, por edhe përmes ndërmjetësimit mediatik. Nëse opozita tradicionale ka shërbyer për administrimin e zemërimit qytetar, media dhe një pjesë e opinionbërësve kanë luajtur rolin e administratorëve të opinionit publik. Përmes përqendrimit të pronësisë mediatike, varësisë ekonomike nga shteti, kooptimit të elitave intelektuale dhe rrjeteve të patronazhit, është krijuar ajo që Herman dhe Chomsky e quajnë "prodhim i konsensusit": një sistem ku nuk kontrollohen vetëm institucionet, por edhe mënyra se si qytetarët i kuptojnë ato.
Në fazat e para, një pjesë e mirë e mediave tradicionale zgjodhën strategjinë klasike të injorimit me bindje se "nëse nuk mbulohet, nuk ekziston". Por lëvizja u rrit me një ritëm të tillë sa u bë gradualisht tepër e madhe për t'u injoruar. Në momentin kur protestat filluan të dominojnë rrjetet sociale, të mobilizojnë mijëra qytetarë dhe të tërheqin vëmendje ndërkombëtare, edhe mediat tradicionale u detyruan ta pasqyronin atë realitet që nuk kishin arritur dot ta parandalonin.
Nuk është rastësi që Shqipëria prej vitesh renditet problematikisht në raportet e Reporters Ëithout Borders për lirinë e medias. Pikërisht në mjedise ku informacioni filtrohet nga pak qendra pushteti, rrjetet sociale, gazetaria qytetare dhe mediat alternative marrin rëndësi disproporcionale si mekanizma kundër-hegjemonikë. Revolucioni i Flamingove arriti ta çajë këtë mur nga të dyja anët njëkohësisht; nga poshtë, përmes rrjeteve sociale mediave alternative dhe komunikimit të decentralizuar qytetar; dhe nga lart, përmes depërtimit në mediat ndërkombëtare. Për herë të parë pas shumë kohësh, një lëvizje qytetare shqiptare arriti të anashkalojë njëkohësisht filtrat e sistemit politik, mediatik dhe opozitar, duke e imponuar veten drejtpërdrejt në debatin kombëtar dhe ndërkombëtar.
5. Thyerja e murit të heshtjes dhe apatisë duke mobilizuar Gjeneratën Z
Një nga arritjet më domethënëse të Revolucionit të Flamingove ka qenë aftësia për të riangazhuar segmente të shoqërisë që prej kohësh shfaqnin shenja të forta të tërheqjes nga pjesëmarrja politike. Në veprën e tij klasike Exit, Voice and Loyalty (Largim, Reagim apo Besnikëri), Albert O. Hirschman argumenton se individët që përballen me pakënaqësi ndaj institucioneve kanë tre alternativa themelore: largimin (exit), shprehjen e pakënaqësisë (voice) ose besnikërinë pasive (loyalty). Për vite me radhë, perceptimi dominues në Shqipëri ka qenë se një pjesë e madhe e të rinjve kishte zgjedhur variantin e parë; përballë zhgënjimit me elitën politike, mungesës së besimit te institucionet dhe ndjenjës së kufizuar të ndikimit qytetar, përgjigjja më e zakonshme dukej të ishte emigrimi ose thjesht apatia. Në këtë kuptim, emigracioni masiv i dekadës së fundit mund të lexohet jo vetëm si fenomen ekonomik, por edhe si forma më radikale e exit-it politik. Një pjesë tjetër e mirë e rinisë u orientuan drejt besnikërisë, nënshtrimit, konformimi apo edhe implikimit me sistemin. Ngarendja për të kandinduar tek nisma socialiste "Deputeti që Duam", për të zëvendësuar vakancat e krijuara nga goditjet e Spakut e dëshmojnë më së miri që një pjesë e rinisë nuk zgjodhi sfidimin e sistemit, por përshtatjen dhe integrimin brenda tij.
Nëse për një kohë të gjatë pyetja kryesore për Gjeneratën Z në Shqipëri ishte ku dhe kur do të emigronte, në pjesën më të madhe të botës i njëjti brez po organizonte protestat më të mëdha të dekadës. Nga protestat kundër korrupsionit në Serbi, Bullgari, Rumani, Sllovaki dhe Çeki, te lëvizja “Grua, Jetë, Liri” në Iran, protestat prodemokratike në Hong Kong, Tajlandë dhe Korenë e Jugut, mobilizimet studentore në Indonezi, protestat sociale në Kili, Kolumbi dhe Meksikë, lëvizjet klimatike në Gjermani, Suedi, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, si dhe demonstratat për drejtësi sociale në Shtetet e Bashkuara, Gjenerata Z është shndërruar në protagonistin kryesor të mobilizimeve qytetare në mbarë botën.
Pikërisht për këtë arsye, Revolucioni i Flamingove paraqet një zhvillim interesant. Ai ka arritur të transformojë, të paktën pjesërisht, një kulturë të tërheqjes dhe indiferencës në pjesëmarrje aktive qytetare. Mobilizimi i Gjeneratës Z, studentëve, profesionistëve të rinj dhe segmenteve të shoqërisë civile urbane sugjeron një zhvendosje nga logjika e exit drejt logjikës së voice, pra nga largimi fizik ose dorëzimi psikologjik nga jeta publike drejt artikulimit të drejtpërdrejtë të pakënaqësisë në hapësirën publike. Në terma sociologjikë, kjo nuk përfaqëson thjesht zgjerim numerik të protestës, por rikthimin në sferën publike të një grupi demografik me kapital të konsiderueshëm kulturor, profesional dhe komunikues, i cili deri vonë perceptohej si i depolitizuar, cinik ose i orientuar kryesisht drejt emigrimit. Pikërisht ky transformim nga exit në voice përbën një nga treguesit më domethënës të potencialit afatgjatë të lëvizjes.
6. Ndërkombëtarizimi i kauzës dhe fitimi i legjitimitetit ndërkombëtar
Një nga sukseset më të mëdha të Revolucionit të Flamingove ka qenë aftësia për ta transformuar një konflikt lokal në një çështje me rezonancë ndërkombëtare. Sipas teorisë së Margaret Keck dhe Kathryn Sikkink mbi rrjetet transnacionale të advokimit, kur institucionet vendase nuk reagojnë, lëvizjet kërkojnë aleatë jashtë vendit dhe e rikthejnë presionin nga jashtë përmes të ashtuquajturit "efekt bumerang". Pikërisht kjo ndodhi. Brenda pak ditësh, një konflikt që qeveria përpiqej ta paraqiste si debat lokal u kthye në objekt reagimesh nga organizata ndërkombëtare mjedisore, rrjete akademike, eurodeputetë, Partia e Gjelbër Evropiane dhe institucione evropiane. Vetë nevoja e qeverisë për t'iu përgjigjur pyetjeve të Reuters dhe për ta siguruar Komisionin Evropian se po respekton standardet mjedisore tregon se beteja kishte dalë prej kohësh jashtë kufijve të politikës shqiptare.
Por ndoshta rezultati më i papritur ishte një tjetër. Kundërshtarët e protestës pretendonin se ajo po dëmtonte imazhin turistik të Shqipërisë dhe po largonte investitorët. Po ndodh krejt kundërta. Protesta prodhoi ndoshta operacionin më të suksesshëm të ribrandimit kombëtar që Shqipëria ka pasur prej dekadash. Për vite me radhë, vendi është shfaqur në media dhe kinematografi ndërkombëtare përmes stereotipeve të mafias, trafikut, korrupsionit dhe shtetit të dështuar. Revolucioni i Flamingove projektoi një imazh krejt tjetër të një populli të vogël që i bën ballë interesave të mëdha, të një shoqërie që ndonëse është boll e varfër sot, po refuzon të shesë trashëgiminë dhe të ardhmen e saj për hir të miliardave të premtuara, të një komunitet qytetar që kërkon dinjitet përpara se të kërkojë para.
Madje forca e lëvizjes nuk qëndroi vetëm te kauza, por edhe te forma. Kreativiteti, simbolika e flamingos, mungesa e flamujve partiakë, pjesëmarrja e familjeve me fëmijë, artistëve, akademikëve, ambientalistëve, patriotëve dhe diasporës krijuan një lëvizje që jo vetëm tërhoqi vëmendjen e botës, por fitoi simpatinë e saj. Në vend të imazhit të zakonshëm të një Ballkani të zhurmshëm e konfliktual, të protestave me dhunë, gaz lotsjellës e molotov; publiku ndërkombëtar pa një qytetari moderne, kreative dhe gjithëpërfshirëse. Paradoksi është se ajo që u akuzua se po dëmtonte Shqipërinë rezultoi të ishte ndoshta reklama më e mirë që vendi ka pasur prej vitesh. Për herë të parë pas shumë kohësh, Shqipëria nuk po identifikohej me oligarkë, trafikantë apo skandale korrupsioni, por me qytetarë që vendosën se jo gjithçka mund të shitet.
7. Krijimi i një ikone proteste tejet ngjitëse dhe jopartiake
Një nga arritjet më të rëndësishme të lëvizjes ka qenë krijimi i flamingos rozë si simbol qendror mobilizues gjë që përbën një leksion të goditur të brendimit të protestës moderne. Nga perspektiva e teorisë së kornizimit simbolik (framing theory), David Snow dhe Robert Benford argumentojnë se lëvizjet më të suksesshme janë ato që arrijnë të ndërtojnë simbole me kapacitet të lartë rezonance kulturore, të afta të komunikojnë mesazhe komplekse në mënyrë të menjëhershme dhe të kuptueshme për publikun e gjerë.
Flamingoja e përmbush këtë funksion në disa nivele njëkohësisht. Së pari, ajo krijon një lidhje të drejtpërdrejtë dhe të prekshme me ekosistemin e Vjosë-Nartës, duke personifikuar në një figurë të vetme abstraksionin e biodiversitetit dhe mbrojtjes së natyrës. Së dyti, forma e saj vizualisht e dallueshme, përdorimi i maketeve gjigante dhe instalacioneve performative prodhon atë që studiuesit e komunikimit dixhital e quajnë "përparësi algoritmike" për t’u bërë virale, pra aftësinë për të gjeneruar imazhe me potencial të lartë shpërndarjeje në rrjetet sociale dhe mediat vizive. Së treti, dhe ndoshta më e rëndësishmja në kontekstin shqiptar, flamingoja funksionon si një simbol politikisht neutral, i çliruar nga bagazhi identitar i partive tradicionale. Kjo i ka mundësuar lëvizjes të shmangë polarizimin klasik partiak dhe të krijojë një hapësirë mobilizimi ku mund të bashkëjetojnë individë të kategorive të ndryshme sociale dhe me orientime të ndryshme ideologjike, por me një shqetësim të përbashkët qytetar.
Studimet mbi lëvizjet shoqërore janë të mbushura me shembuj ku një simbol i vetëm ka arritur të përmbledhë aspirata dhe pakënaqësi shumë më të gjera sesa kuptimi i tij fillestar. Karafili në Revolucionin kundër regjimit Estado Novo, portokallia në përmbysjen e Jushccenkos në Ukrainë, grushti i mbyllur i Otporit si simbol kundër Millosheviçit; Çadrat për të mbrojtur autonominë e Hong Kongut apo së fundmi Jelek-Verdhët në Francë. Në këtë kuptim edhe flamingo-ja është shndërruar në një simbol ombrellë brenda të cilit mund të artikulohen shqetësime shumë më të gjera se vetë çështja mjedisore: transparenca, sovraniteti mbi territorin, mbrojtja e pasurive të përbashkëta, pjesëmarrja qytetare dhe kufijtë e pushtetit ekzekutiv.
8. Refuzimi i kooptimit, forcimi i demokracisë së drejtpërdrejtë dhe ruajtja e momentumit qytetar
Një nga vendimet më të zgjuara dhe më pak të vlerësuara nëpër media të Revolucionit të Flamingove ishte refuzimi për ta zhvendosur konfliktin nga hapësira publike në korridoret e pushtetit dhe kalendat greke të burokracisë. Kur Kryeministri propozoi një takim me një grup të kufizuar përfaqësuesish të protestës, lëvizja e refuzoi. Mbasje në pamje të parë kjo mund të dukej si refuzim i dialogut, por në realitet ishte refuzim i një mekanizmi shumë më të sofistikuar dashakeq që synon absorbimin institucional të kundërshtimit.
Historia e protestave tregon se pushtetet rrallëherë i neutralizojnë lëvizjet vetëm përmes represionit. Shumë më shpesh i neutralizojnë përmes procesit. Fillimisht ofrohet një takim. Pastaj krijohet një grup pune. Mandej një tryezë konsultimi. Më pas një komision ekspertësh. Në fund premtohen analiza shtesë, verifikime teknike dhe studime të reja. Konflikti largohet nga rruga e rrugës dhe transferohet e hallakatet në rrugë pa krye në labirintet e burokracisë. Nga një çështje urgjente shndërrohet në një procedurë administrative. Nga një problem politik bëhet një proces teknik. Nga një lëvizje qytetare kthehet në një dosje.
Kjo është arsyeja pse shumë protesta nuk vdesin nga represioni policor por vdesin nga administrimi. Sistemi nuk i shtyp, por i përthith; nuk i ndalon, por i tret. Nuk i përjashton, por i integron në një proces që gradualisht ua shuan energjinë. Në literaturën sociologjike ky fenomen njihet si kooptim apo absorbim institucional. Në praktikë do të thotë që pushteti nuk zgjidh problemin por krijon iluzionin se po merret me të derisa publiku të humbasë interesin dhe protestuesit të humbasin momentin.
Shqipëria e ka parë disa herë këtë skenar. Protesta studentore e vitit 2018 ishte ndoshta shembulli më i qartë. Ajo filloi si një nga mobilizimet më autentike dhe më të fuqishme të tranzicionit, por gradualisht energjia e saj u shpërnda mes negociatave, fragmentimit, pritjes dhe proceseve pa fund. Jo sepse kërkesat u zgjidhën plotësisht, por sepse momentum-i politik u shfry. Sistemi fitoi kohë. Dhe shpeshherë, në politikë, koha është fitorja më e madhe e pushtetit.
Pikërisht këtë kurth duket se kuptuan organizatorët e Revolucionit të Flamingove kur refuzuan të pranonin se problemi ishte mungesa e komunikimit. Problemi nuk ishte se qeveria nuk po dëgjonte hallet e qytetarëve apo problemet e shqetësimet. Problemi është që qeveria ka qenë e vëtëdijshme për ccfarë ka bërë sepse ka menduar se nuk do paguante asnjë kosto, sikurse kishte ndodhur me herët e tjera. Prandaj nëse konflikti ka të bëjë me mungesën e transparencës, një bisedë me dyer të mbyllura nuk është transparencë. Nëse kauza ka të bëjë me pjesëmarrjen qytetare, përzgjedhja e një grupi të vogël negociatorësh nuk mund të zëvendësojë vullnetin e mijëra qytetarëve që ndodhen në shesh.
Në këtë kuptim, lëvizja artikuloi një formë të demokracisë së drejtpërdrejtë. Ajo refuzoi logjikën sipas së cilës qytetarët duhet të delegojnë menjëherë zërin e tyre te një grup ndërmjetësuesish dhe insistoi që çështja të mbetej në hapësirën publike, përballë opinionit publik dhe jo pas dyerve të mbyllura të institucioneve. Më e rëndësishmja, lëvizja refuzoi të shkëmbente substancën me simbolikën. Shumë protesta bien në kurthin e fotografisë së përbashkët, të deklaratës optimiste pas takimit apo të premtimit se çështja do të shqyrtohet. Këto momente krijojnë përshtypjen e suksesit pikërisht në momentin kur energjia e protestës fillon të tretet. Revolucioni i Flamingove zgjodhi të mos pranonte këtë shkëmbim; refuzoi të zëvendësonte një kërkesë konkrete me një ritual politik. Edhe pse kaloi, besoj se ky ishte ndoshta një nga momentet vendimtare të lëvizjes. Për herë të parë pas shumë kohësh, një protestë qytetare në Shqipëri nuk pranoi të transformohej në një proces të pafund administrativ, nuk pranoi të futej në kalendat greke të institucioneve dhe uk pranoi të zëvendësonte presionin publik me premtimin e dialogut. Përballë një sistemi që kërkonte ta kthente revoltën në procedurë, lëvizja i dha jetë demokracisë së drejtpërdrejtë duke këmbëngulur se zëri i qytetarëve nuk ishte mall i negociueshëm mes pak individësh dhe pushtetit.
Dhe pikërisht duke refuzuar të përthithej nga sistemi, arriti të ruajë atë që shumica e lëvizjeve humbasin më shpejt; besueshmërinë, transparencën, kohezionin dhe momentin politik. Pikërisht sepse kooptimi dështoi, Rama po kalon te kapitulli pasues i manualit të autokratëve; tek anti-mitingu apo kundër-mobilizimi. Në vend që të zvogëlojë protestën përmes dialogut, pushteti përpiqet ta balancojë atë përmes prodhimit të një mobilizimi paralel, duke e zhvendosur debatin nga legjitimiteti i kërkesave te raporti numerik i forcave në rrugë.
9. Riaktivizimi politik i diasporës dhe rikthimi i lidhjes me atdheun
Një nga aspektet më interesante të Revolucionit të Flamingove ka qenë aftësia për të mobilizuar segmente të diasporës shqiptare që prej kohësh dukeshin politikisht të shkëputura nga zhvillimet në vend. Në teorinë e nacionalizmit transnacional, diaspora shpesh përshkruhet si një komunitet që ruan lidhje emocionale me vendin e origjinës, por që me kalimin e kohës largohet gradualisht nga pjesëmarrja aktive në jetën e tij politike. Mirëpo duke përdorur qasjen e Benedict Andersonit, Revolucioni i Flamingove i rikujtoi diasporës se, pavarësisht pasaportave, gjuhëve apo jetëve të reja të ndërtuara jashtë vendit, ajo mbetet pjesë e të njëjtit "komunitet të imagjinuar" që quhet Shqipëri.
Megjithëse shqiptarët jashtë vendit përbëjnë mbi gjysmën e kombit në terma demografikë, niveli i përfshirjes së tyre politike ka mbetur relativisht i ulët. Njerëz që, megjithëse përbëjnë më shumë se gjysmën listë së votimit, kanë marrë pjesë shumë pak në proceset zgjedhore dhe që edhe kur votuan me postë, e bënë kryesisht pas nxitjeve dhe mobilizimit të partive politike në Shqipëri. Po flasim për njerëz që kishin ndërtuar jetët e tyre me prona e pasaporta të reja në Londër, Milano, Firence, Bruksel, Berlin, Mynih, Vjenë, Zyrih, Nju Jork, Toronto etj. Kjo është arsyeja pse reagimi i diasporës është kaq domethënës. Në një farë kuptimi, ishte rikthimi në hapësirën publike shqiptare i një grupi që shpesh perceptohej se i kishte mbyllur derën vendit, e kishte lënë pas dhe e kishte reduktuar marrëdhënien me të në kujtime, remitanca ose vizita sezonale për turizëm apo halle familjare.
Në terma teorikë, lëvizja arriti të transformojë diasporën nga një rezervuar pasiv emocional në një aktor aktiv politik. Në terminologjinë e Hirschman-it, kemi të bëjmë me një kalim nga "largimi" drejt "zërit". Thënë ndryshe protesta aktivizoi jo vetëm identitetin kombëtar, por edhe ndjenjën e përgjegjësisë për të ardhmen e vendit. Ky mobilizim i diasporës rreth një kauze qytetare dhe mjedisore, tregoi se lidhja me Shqipërinë nuk kalon domosdoshmërisht vetëm përmes votës apo partive politike, por edhe përmes mbrojtjes së pasurive dhe vlerave që perceptohen si të përbashkëta. Në këtë kuptim, protestat në diasporë nuk ishin thjesht zgjerim gjeografik i lëvizjes por tregues se lëvizja kishte arritur të prekë një nerv të thellë identitar dhe emocional. Kemi të bëjmë me rikrijimin e një lidhjeje politike dhe morale mes diasporës dhe vendit që shumëkush përfshi mua mendonte se ishte dobësuar në mënyrë të pakthyeshme.
10. Shembja e mitologjisë së zhvillimit dhe rikthimi i sovranitetit në qendër të debatit
Ndoshta arritja më e rëndësishme e Revolucionit të Flamingove nuk ka qenë as numri i protestuesve, as mbulimi mediatik, por transformimi i vetë mënyrës se si publiku e kupton konfliktin. Për vite me radhë, debati publik është dominuar nga një logjikë e thjeshtë: sa para do të sjellë një projekt, sa investime do të tërheqë dhe sa vende pune do të krijojë. Brenda kësaj kornize, çdo kundërshtim paraqitej si pengesë ndaj zhvillimit. Revolucioni i Flamingove arriti ta përmbysë këtë logjikë.
Në këtë rast kemi një zhvendosje nga vlerat monetare materiale, tek vlerat shpirtërore e etike që nuk kanë ccmim. Në terma teorikë, kemi të bëjmë me atë që literatura e quan transformimin e kornizës së konfliktit nga një çështje teknike në një çështje politike dhe morale. Për herë të parë pas shumë kohësh, debati nuk u zhvillua më rreth miliardave që premtohen, por rreth asaj që nuk duhet të jetë në shitje. Çështja pushoi së qeni për një shpend me pupla rozë, një resort, një lagunë apo një investitor i caktuar me lidhje familjare me njeriun më të fuqishëm në botë. Ajo u shndërrua në një debat mbi dinjitetin kombëtar, mbi të drejtën e qytetarëve për t'u dëgjuar, mbi barazinë para ligjit; mbi kufijtë e pushtetit dhe mbi pyetjen nëse një vend i vogël ka të drejtë të vendosë vetë për trashëgiminë dhe të ardhmen e tij.
Në këtë kuptim, lëvizja nuk sfidoi thjesht një projekt një filozofi të tërë qeverisjeje sipas së cilës gjithçka ka një çmim dhe çdo vendim abuziv jo-transparent mund të justifikohet në emër të zhvillimit. Protesta e zhvendosi debatin nga pyetja "sa do të fitojmë?" te pyetja shumë më e thellë "çfarë jemi të gatshëm të humbasim?". Në vend që publiku të pyeste sa miliarda do të investoheshin, filloi të pyesë kush vendos, në emër të kujt vendos dhe çfarë nuk duhet të jetë në shitje. Dhe pikërisht në momentin kur një shoqëri fillon të bëjë këtë pyetje, konflikti nuk ka të bëjë më me ekonominë; ka të bëjë me sovranitetin e me krenarinë kombëtare. Me të drejtën për të vendosur vetë se kush jemi, çfarë ruajmë dhe çfarë refuzojmë të shesim.
