Revolucioni i Flamingos është kryengritja e dinjitetit njerëzor

Enes Shehu 10 Qershor 2026, 15:15

Revolucioni i Flamingos është kryengritja e dinjitetit njerëzor

I ashtuquajturi Revolucioni i Flamingove nuk lindi sepse shqiptarët u zgjuan një mëngjes të shqetësuar për fatin e disa shpendëve.

Flamingot nuk janë arsyeja. Nuk është as një lagunë. As një projekt i vetëm.

Flamingot u bënë simbol i bukur, i papritur, për diçka më të madhe.

Arsyet gjenden shumë më thellë: në zhgënjimet e grumbulluara ndër vite, në vetëdijen e ngulitur se diçka thelbësore është prishur në marrëdhënien midis qytetarëve dhe klasës politike.

Arroganca dhe shkëputja nga realiteti

Arsyeja e parë e revoltave është kundërshtimi i arrogancës së pushtetit.

Arroganca është ndoshta forma më e rrezikshme e konsumimit të pushtetit.

Arroganca nuk lind menjëherë. Ata që kërkojnë pushtetin janë fillimisht të përunjur. Fillimisht ata krijojnë besim. Më pas mbushen me vetëbesim. Dhe pastaj fillojnë e konsiderojnë pushtetin të tyren dhe përfaqësimin e qytetarëve një formalitet, duke besuar se vendimet nuk kanë nevojë për legjitimim demokratik apo moral përtej atij institucional.

Kështu fillon shkëputja nga realiteti.

Gjatë tre dekadave e gjysmë, klasa politike shqiptare është sjellë sikur pushteti është atribut i natyrshëm dhe i përhershëm i saj. Jo një privilegj i përkohshëm. Sikur ai është pronë dhe jo instrument për të shërbyer.

Kjo lloj ndjesie përkatësie e ka shkëputur elitën politike nga njerëzit. Njerëzit dëgjohen përherë e më pak. Njerëzit ndihen përherë e më shumë të parëndësishëm, të papërfillur, të pafuqishëm.

Zvërneci ngjalli interes në radhë të parë sepse ai u dha mundësinë njerëzve të ndihen përsëri të rëndësishëm duke u rebeluar ndaj arbitraritetit të pushtetit që nuk denjon t'i llogarisë.

Hendeku mes arritjeve dhe meritës

Arsyeja e ngritjes së njerëzve në protesta është bindja se kemi arritur në pikën ku aftësia, puna dhe integriteti nuk shpërblehen.

Çdo shoqëri moderne perëndimore mbështetet mbi një parim të rëndësishëm të organizimit shoqëror: përpjekja shpërblehet dhe merita njihet.

Në Shqipëri, shumica e qytetarëve nuk e besojnë më se kjo gjë është e mundur.

Ata e provojnë çdo ditë se kompetenca vlerësohet më pak se besnikëria. Se mendimi kritik konsiderohet kërcënim dhe jo kontribut. Se përparimi varet nga afërsia me pushtetin dhe jo nga aftësia individuale.

Në këtë realitet, pjesa më e përgatitur e shoqërisë fillon të ndihet e humbur, pa mundësi, pa të ardhme. Profesionistët, studiuesit, ekspertët dhe të rinjtë më ambiciozë nuk kërkojnë privilegje; kërkojnë mundësi, kërkojnë të drejtën për të qenë të suksesshëm me talentin, punën dhe idetë e tyre.

Kur një shoqëri nuk ka vend për njerëzit e saj më të aftë, kur ata detyrohen të emigrojnë, ajo nuk humbet vetëm kapital njerëzor; humbet besimin tek e ardhmja.

Vendin e besimit të humbur e zë cinizmi. Qytetari nuk reagon më. Bëhet apatik, përshtatet, fillon të kërkojë lidhje aty ku duhej të kërkonte drejtësi.

Mëson të mbijetojë brenda sistemit në vend që të përpiqet ta ndryshojë atë.

Por herët a vonë, ky cinizëm kthehet në revoltë.

Korrupsioni

Arsyeja e tretë e revoltës së njerëzve është korrupsioni.

Jo vetëm si vjedhje e pasurive publike, por si mekanizmi kryesor përmes të cilit privilegji zë vendin e meritës.

Për vite me radhë, qytetarët kanë parë se si klasa politike ka rendur drejt pasurimit të vetes. Se si kjo klasë ka plaçkitur paratë dhe pasuritë publike dhe ka ndërtuar një sistem klientelist dhe korruptiv që është shtrirë në çdo fushë publike dhe madje private.

Sot në Shqipëri korrupsioni nuk është më një dukuri, qoftë edhe e shpeshtë; është mekanizmi kryesor i funksionimit të qeverisjes dhe marrëdhënies mes pushtetit dhe individit.

Në këtë moment, korrupsioni ka pushuar së qenuri një problem administrativ i qeverisjes, por është kthyer në një problem të thellë moral.

Korrupsioni nuk dëmton vetëm publiken, paratë dhe pasuritë e të gjithëve. Ai dëmton vetë themelin e marrëdhënieve shoqërore, të cilat nuk mbështeten më në rregulla të paanshme e të njëjta për të gjithë, por në rrjete klienteliste dhe mekanizma korruptivë e kriminalë.

Mbi të gjitha, kjo shkatërron sensin e drejtësisë në shoqëri: qytetarët fillojnë të besojnë se vetëm ata duhet të respektojnë ligjin, ndërsa elita politike dhe e biznesit mund ta negociojë ligjin, madje mund të bëjë ligje me porosi.

Zvërneci është ilustrimi i shkëlqyer i këtij realiteti: zhvillimi i Zvërnecit u mundësua sepse kjo pakicë ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura.

Prandaj, revolta e sotme është edhe reagim ndaj këtij realiteti, ndaj asaj pakice që ka kapur funksionet e shtetit dhe bën ligjin siç do vetë.

Kur dinjiteti bëhet revoltë

Megjithatë, as arroganca, as mungesa e meritokracisë dhe as korrupsioni nuk mjaftojnë për të shpjeguar plotësisht atë që po shohim sot.

Sepse njerëzit mund të jetojnë për vite me padrejtësi. Mund të jetojnë me vështirësi ekonomike. Mund të jetojnë edhe me qeveri që nuk i pëlqejnë.

Por ekziston një kufi që, kur kapërcehet, e shndërron pakënaqësinë në revoltë.

Ai kufi është dinjiteti.

Në fund të fundit, njeriu nuk jeton vetëm me mirëqenie. Ai jeton edhe me nevojën për të respektuar veten. Për të ndier se zëri i tij ka peshë. Se bindjet e tij kanë vlerë.

Kjo është arsyeja pse lëvizja e këtyre ditëve ka gjetur jehonë tek kaq shumë qytetarë.

Jo sepse të gjithë ndajnë të njëjtat bindje politike.

Jo sepse të gjithë kanë të njëjtat interesa ekonomike.

Por sepse shumë prej tyre ndajnë të njëjtën ndjesi: ata nuk duan të trajtohen më si numra, si objekte, si qenie pa shpirt, pa vetëdije dhe pa dinjitet.

Prandaj, protestat janë revoltë kundër normalizimit të nënshtrimit.

Kundër idesë se qytetari duhet të heshtë përballë padrejtësisë.

Kundër bindjes se integriteti është naivitet dhe se konformizmi është zgjuarsi.

Sepse në fund, liria nuk fillon tek institucionet.

Ajo fillon brenda çdo individi, në vetëdijen se çdo njeri ka gjëra që nuk mund të shiten për asnjë çmim.

Dinjiteti është më e rëndësishmja prej tyre, pasi ai na u dhurua falas që kur lindëm.