Franca dhe Austria rihapin restorantet dhe baret

exit.al 19 Maj 2021, 17:22

Austria dhe Franca janë dy vende evropiane që lehtësuan masat kundër koronavirusit, duke lejuar hapjen e restoranteve dhe kinemave, të mërkurën.

Austria hapi restorantet, hotelet dhe teatrot për herë të parë në më shumë se pesë muaj. "Drita në fund të tunelit po bëhet më e ndritshme," tha Kancelari Sebastian Kurz, sipas Deutche Welle.

Detyrimi për karantinë nuk do të kërkohet më vizitorët e huaj duke filluar të Mërkurën, tha Ministri i Shëndetësisë Wolfgang Mückstein. Sidoqoftë, vizitorët duhet të sigurojnë një certifikatë shëndetësore që tregon se nuk janë të infektuar me koronavirusin.

Franca rihapi ambjentet e jashtme të restoranteve, megjithëse e kufizuar në 50% të kapacitetit të tyre dhe në gjashtë persona për tryezë. Restorantet dhe kafenetë do të duhet të presin deri më 9 qershor për të lejuar klientët brenda.

Kinematë, teatrot dhe muzetë në Francë u hapën, me kushtin e mbajtjes së maskave ​​dhe distancës fizike.

Ndërsa ora policore u ndryshua në 21:00. Disneyland Paris njoftoi se do të rihapet më 17 qershor.

Lehtësimi i kufizimeve i Francës vjen përpara hapjes së plotë të planifikuar më 30 qershor.