Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka urdhëruar fillimin e punimeve për këndin e debatuar të lojrave në territorin e parkut kombëtar të liqenit. Dje, në park kanë hyrë makineritë e rënda, të cilat kanë filluar gërryerjen e dheut, për të përgatitur kantierin e ndërtimit.
Punimet po bëhen në shkelje të hapur të ligjit, pasi për këndin e lojrave nuk ka ende leje ndërtimi. Ky veprim duket arrogant dhe absurd po të kihet parasysh se Këshilli Kombëtar i Territorit, i cili duhet të lëshojë lejen e ndërtimit, është i gjithi nën kontrollin e qeverisë.
Kundër ndërtimit të këndit të lojrave ditët e fundit ka patur reagime të shumta nga qytetarë dhe veprimtarë civilë. Dy ditë më parë një grup qytetarësh prishën në mënyrë demonstrative gardhin e rrethimit të kantierit të ndërtimit. Ata kërkojnë zbatimin e ligjit që kërkon zhvillimin e dëgjesave publike me qytetarët para vendim-marrjes për çdo lloj ndërtimi.
I ashtuquajturi kënd lojrash është, në fakt, një infrastrukturë argëtimi urbane, e cila përfshin platforma dhe struktura betoni, si dhe ndërtime të ngurta. Praktikisht, ky kënd do të urbanizojë një ndër të të fundit hapësira të gjelbra të mbetura në Tiranë.
[gallery columns="4" ids="7498,7499,7500"]
Artikuj të lidhur:
Kënd lojrash plus lokal në park: vendimi i paligjshëm dhe arbitrar i Kryebashkiakut Veliaj
Kryebashkiaku Veliaj masakron pemët e parkut dhe mashtron publikun
