Eurostat: Shqipëria e fundit në Ballkan për nivelin e konsumit për frymë, e treta për çmimet më të larta

exit.al 16 Dhjetor 2020, 12:00

Shqipëria ka nivelin më të ulët të konsumit real dhe Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë në Europë dhe Ballkan.

Eurostat ka publikuar një raport mbi nivelin e PPB-së, konsumit dhe çmimeve në 27 vende të BE-së, Britaninë e Madhe, Islandë, Norvegji, Zvicër, si dhe pesë vendet candidate për integrim (Shqipëri, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi dhe Turqi).

Në 2019-ën niveli i PPB-së së Shqipërisë ishte sa 31% e mesatares së vendeve të BE-së, duke zënë vendin e fundit krahasuar me shtetet e sipërpërmendura.

Tabela Eurostat

Njëkohësisht në 2019-ën, familjet shqiptare konsumuan sa 39% e mesatares që konsumuan familjet europiane.

Kjo shifër e rendit gjithashtu Shqipërinë të fundit në Ballkan dhe Europë për nga niveli i konsumit real të familjeve shqiptare.

Pas Shqipërisë vjen Bosnje Hercegovina e cila e ka konsumin për frymë në nivelin 41% të mesatares së BE-së, ndjekur nga Maqedonia e Veriut (42%), Serbia (49%), Mali i Zi (60%), dhe Turqia (67%).

Tabela Eurostat

Eurostat ka përllogaritur edhe nivelin e çmimeve të produkteve të konsumit krahasuar me mesataren e vendeve të BE-së.

Çmimet në Shqipëri janë sa 50.9% e mesatares së BE-së, duke e renditur vendin tonë të tretin në Ballkan për nga çmimet më të larta.

Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi shënojnë nivel më të lartë çmimesh se Shqipëria, ndryshe nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Turqia, të cilat kanë një nivel më të ulët të çmimeve.

Ajo që bie në sy nga shifrat e publikuara nga Eurostat është se në Shqipëri niveli i konsumit real dhe PPB-së për frymë, krahasuar me BE-në, është rritur vetëm me 1 pikë përqindje nga viti 2017 në vitin 2019.

Por në rastin e çmimeve, niveli është rritur me 4.7 pikë përqindje krahasuar me mesataren e BE-së përgjatë së njëjtës periudhë kohore.

Shpërndaje te miqtë