Eurokomisioneri Varhelyi presion palëve për të përfunduar Reformën Zgjedhore

exit.al 2 Qershor 2020, 12:44

Komisioneri për Zgjerimin e BE, Oliver Varhelyi i bëri thirrje Këshillit Politik të arrijnë në një marrëveshje, në lidhje me Reformën Zgjedhore.

Në një postim në Twitter, Varhelyi pohoi se Reforma Zgjedhore është thelbërsore dhe duhet përfunduar.

“Unë i inkurajoj të gjitha palët, brenda dhe jashtë parlamentit, që përsëri të provojnë dhe të arrijnë një marrëveshje. Kjo është një reformë e rëndësishme që duhet të ofrohet do të ishte për të ardhur keq nëse humbej ky moment. Shpresoj për një marrëveshje: kjo është thelbësore”

Ndaj këtij postimi ka reaguar dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili e falenderoi eurokomisionerin për angazhimin e tij për përfundimin e reformës zgjedhore. Basha pohoi se opozita është e përkushtuar në arritjen e një marrëveshje, e cila garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe përmbush një nga 15 kushtet e BE-së.

Varhelyi është funksionari i huaj i disatë, i cili ka bërë thirrje për arritjen e marrëveshjes midis palëve. Më herët ambasadorja amerikane, Yuri Kim dhe ai i BE, Luigi Soreca i kërkuan palëve të përfundojnë reformën në afat.

Pavarësisht presionit të madh, palët duket se ende janë larg arritjes së marrëveshjes. Deri në mbrëmjen e 31 majit, Këshilli Politik nuk gjeti dakordësinë për reformën dhe pritet të vazhdojnë bisedimet përtej afatin.

Sipas deklaratave të Bylykbashit dhe Gjiknurit, opozita ka pranuar kushtin e panegociueshëm të shumicës: depolitizimin e komisioneve të administrimit zgjedhor.

Ndërsa shumica socialiste nuk ka pranuar kushtin e panegociueshëm të opozitës:  përdorimin e teknologjisë në zgjedhje. identifikimin, votimin dhe numërimin elektronik.