“Ndihem i privilegjuar të marr pjesë sot në këtë Komitet Drejtues në emër të qeverisë gjermane. Së bashku me Austrinë dhe Hollandën, për pothuajse tre vjet, ne kemi mbështetur Reformën e Drejtësisë në Shqipëri përmes EURALIUS IV, një reformë të cilën disa e kanë quajtur "nënën e të gjitha reformave". Në të vërtetë, ky epitet është ekzagjerim shumë i vogël pasi reforma e tërë sistemit të drejtësisë – sapo të zbatohet - do të ketë ndikim në të gjithë sistemin.
Falë përkushtimit dhe profesionalizmit të të gjithë aktorëve, ky projekt ka përparuar — përkundër përpjekjeve të shumta për të prishur ose, të paktën, për të vonuar reformën. Tani, më shumë se një vit pas ndryshimeve vendimtare kushtetuese, procesi i verifikimit (vetingut) ka filluar dhe më në fund ka hyrë në fazën e saj operacionale. Shpresojmë që rezultatet e para të procesit të verifikimit të na vijnë deri në fund të vitit.”
Katër muaj më vonë, rezultatet e vetme të vettingut kanë qenë: nisja e një procedimi disiplinor kundër një prej zyrtarëve kryesorë të procedurës së vptingut, Komisionerit Publik Heral Saraçi dhe injorimi që Parlamenti i bëri Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ,duke zgjedhur për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë persona që nuk e kanë kaluar vetingun dhe nuk plotësojnë kriteret bazë. Ndërkohë, një tjetër zyrtare e pa-verifikuar, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku, po bën kërdinë në sistemin e prokurori. Ambasadorja Schütz vazhdoi më tej:"Reforma në drejtësi dhe, mbi të gjitha, forcimi i sistemit të drejtësisë, si dhe të gjithave institucioneve juridike ende nuk është finalizuar. Pas EURALIUS IV është EURALIUS V. Për misionin e ardhshëm, eksperienca dhe vazhdimësia do të jenë me rëndësi të madhe. Ne të gjithë e dimë mirë se çdo "çarje" ose boshllëk do të shihet nga armiqtë e reformës si një ftesë e hapur për të sjellë ndikimin e tyre negativ."
Me fjalë të tjera, nëse EURALIUS V nuk vazhdon me të njëjtin konsorcium si EURALIUS IV, "armiqtë" e reformës në drejtësi do të fitojnë! Ata do të përfitojnë nga situata dhe do t'i vendosin njerëzit e tyre në pozitat kyçe të gjyqësorit! Ata do të emërojnë zyrtarë që nuk kanë kaluar vetingun! Vetëm se ... kjo gjë ka ndodhur tashmë. Në të vërtetë, i njëjti grup juristësh i udhëhequr nga organizata gjermane IRZ, duket se ka fituar kontratën për EURALIUS V, edhe pse njoftimi zyrtar nuk është bërë ende. Ndërkohë, BE-ja ka hequr nga vetja çdo përgjegjësi ose llogaridhënie rreth funksionimit ose suksesit të misionit EURALIUS IV. Në përgjigje të një kërkese të Exit.al për të drejtën e informimit, BE pretendon se nuk ka asnjë dokument në lidhje me ekspertët gjyqësorë të punësuar nga EURALIUS, që do të thotë se ata me sa duket nuk e dinë kush po i harton të famshmet “opinione ligjore”. BE mohon, gjithashtu, se zotëron ndonjë raport financiar përsa i përket EURALIUS IV, ose ndonjë vlerësim për mënyrën si është shpenzuar buxheti i saj gjatë periudhës së kontratës. Ndërkohë, vetë EURALIUS refuzon të japë dokumente. Kjo është akoma më shqetësuese, pasi Exit ka marrë informacione nga zyrtarë të afërt me EURALIUS IV, lidhur me keqpërdorimin e fondeve dhe keqadministrimin e misionit. Një shembull i këtij keqpërdorimi ishte punësimi i Birgit Grundmann si "eksperte e jashtme" për riorganizimin e Ministrisë së Drejtësisë në tetor 2017. Nga viti 2009 deri në 2014, Grundmann ka qenë sekretare shteti në Ministrinë Federale të Drejtësisë në Gjermani. Në shtator 2014, ajo u transferua në kompaninë e sigurimeve Allianz, ngjarje e cila shkaktoi një skandal në Gjermani, pasi ajo mund t’i shiste njohuritë dhe rrjetin e saj të brendshëm në qeveri një kompanie private. Disa analistë gjermanë u shprehën kundër punës së saj të re si lobiste. Ajo u largua nga Allianz në fund të vitit 2015 dhe u bë anëtare bordi e IRZ, i cili është partneri kryesor në misionin EURALIUS IV. Para së gjithash, është e diskutueshme nëse dikush i akuzuar në Gjermani për konflikt interesi dhe që kalon nga sektori shtetëror në atë privat, duke nxitur korrupsionin dhe nepotizmin, duhet të bëhet një "ekspert i jashtëm" në Shqipëri. Së dyti, Grundmann nuk ishte aspak "eksperte e jashtme"; ajo ishte anëtare në bordin e partnerit kryesor në EURALIUS IV, IRZ, kështu që, ajo ka punësuar veten. Ky është një fitim ilegal i bërë nga IRZ, së cilit, sipas kontratës, i lejohet vetëm një fitim prej 7 përqind (nga vlera totale e kontratës) i përfituar direkt nga BE. Punësimi i anëtarëve të bordit si ekspertë të jashtëm, është një mënyrë e dyshimtë, nëse jo e paligjshme, për të fituar diçka shtesë. Megjithatë, duket se BE nuk është shumë e interesuar për mënyrën se si shpenzohen paratë e taksapaguesve të saj. E kështu, IRZ është rikthyer për një xhiro tjetër prej 7.5 milionë euro në politikën shqiptare, e mbrojtur dhe e paprekur nga pasojat reale të veprimeve të saj. Shpërndaje te miqtë
