“Sikur të mos ishit ju, të gjithë njerëzit e talentuar dhe protagonizmi individual i tyre, në botën e brishtë, të varfër dhe thuajse fare të braktisur, ku jeton mes sakrificash dhe përpëlitjesh të mëdha, krijimtaria juaj, politikat rrënuese kulturore të gjithë këtyre viteve do të ishin shkretuar krejt në mjedisin tonë të artit dhe të kulturës.”
Përgëzime për rezistencën e madhe në kushte kaq të pafavorshme dhe thënë e drejta, në një sundim aq të gjatë të shurdhërisë dhe të verbërisë së injorancës politike mbi botën tuaj.”
Kryeministri i siguroi artistët se do të angazhohej “me zemër dhe mendje, për të mbështetur idetë, projektet, planet [e tyre] dhe sigurisht të dy institucioneve të mëdha, të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe të Galerisë Kombëtare të Arteve.” Këtë premtim ai e përforcoi me argumentin se vetëm një politikan artist mund ta kuptojë botën e artit. Shumëkush e besoi dhe u ndje fatlum për ardhjen e këtij artisti në krye të vendit. Gati tre vjet nga ajo ditë, Ilir Kerni dha dorëheqjen—arsyeja mbetet ende mes tij dhe Kryeministrit. Ngjarja është një moment për të reflektuar për realitetin e sotëm të artit, nën dritën e premtimeve të djeshme të Kryeministrit. Në këtë kontekst, mund të thuhen të paktën katër gjëra.1. Një kryeministër i ardhur nga bota e artit mund të jetë fat i keq për artin.
Një kryeministër ish-artist ka, patjetër, ide dhe vizion të ngulitur për artin dhe kulturën—ndaj, në vend që ai të jetë i hapur për të dëgjuar dhe kuptuar artistët dhe ekpsertët, ai mund të priret për të imponuar idetë dhe vizionin e tij në fushën e artit. Kryeministri Rama ka treguar një prirje të qartë në këtë drejtim, madje edhe më shumë se kaq ai është shprehur se do të ndihmojë shqiptarët të kapërcejnë paaftësinë e tyre estetike. Për këtë arsye është e vështrië të besohet se ai u ka dhënë lirinë e nevojshme drejtuesve kryesore të artit në vend dhe nuk u ka imponuar atyre mendimet dhe shijet e tij. Fakti që, edhe pse zoti Rama dhe Ministrja Kumbaro e sollën dhe trumbetuan me të madhe emërimin e Zotit Kerni në krye të TKOB-it, ata ende nuk kanë bërë asnjë koment për dorëheqjen e aq më pak falenderim për kontributin e tij, është tregues se largimi i Zotit Kerni nuk është bërë në vullnet të mirë dhe mirëkuptim. Arsyeja e përplasjeve personale përforcohet edhe nga ana tjetër—Zoti Kerni nuk zgjodhi të falenderojë Kryeministrin Rama në, praktikisht, mesazhin e tij të dorëheqjes, ndërkohë që nuk kurseu falenderimet sipërore për artistët, administratën dhe stafin TKOB-it. Ky fakt është shumë domethënës nëse kihet parasysh adhurimi i hapur që zoti Kerni shprehu për Kryeministri Rama ditën që u prezantua në publik, teksa u shpreh: “Nuk duhet të merret për kompliment fare. Rruga e Edi Ramës ka qenë për mua një çudi e madhe, ndoshta kam qenë edhe xheloz në kuptimin e asaj çka mund të bëj njeriu. Mirëpo me ardhjen në Shqipëri e shoh më mirë të isha xheloz se sa… më duhet të punoj shumë.”2. Largimi i Zotit Kerni është shembull i keq për të gjithë ata artistë apo intelektualë të cilët mund të kenë menduar të kthehen në Shqipëri.
Zoti Rama e ka shpallur prioritet qeveritar dhe ka hartuar një program të tërë miliona eurosh për t’u bërë thirrje dhe nxitur shqiptarët në botë të kthehen dhe t’u bashkohen përpjekjeve të tij për “rilindjen” e vendit. Kthimin e Ilir Kernit ai e konsideroi si të tillë:“I falënderoj me mirënjohje Ilir Kernin dhe Artan Shabanin për këtë rikthim me kohë të plotë në Atdhe, si përgjigje e një apeli që dua ta ribëj edhe sot për të gjithë njerëzit tanë të suksesshëm jashtë atdheut, të cilëve u them se Shqipëria ka nevojë për talentin, aftësinë, eksperiencën, pasionin e tyre dhe profesionin e dashurinë e tyre për këtë vend, ku pa asnjë dyshim do të gjejnë të gjithë mbështetjen time dhe te Qeverisë sonë për të kontribuar në sektorin publik, në të gjitha fushat.”
Kthimi i intelektualëve dhe artistëve në Shqipëri është sfidë e vështirë. Rasti i Zotit Kerni tregon se lënia e karrierave apo mundësive jashtë vendit për t’u kthyer në Shqipëri në një terren të paqartë dhe të pasigurtë mund të jetë sakrificë e madhe për ta. Mungesa e institucioneve të konsoliduara, praktikave profesinale dhe mbi të gjitha dominimi i politikës në të githë vendin e bën të vështirë krijimin e një karriere të qëndrueshme dhe të suksesshme në vend. Për më tepër, vendimet e bazuara mbi garanci apo premtime politike dhe jo institucionale janë problematike. Sikurse theksuam më sipër, vendimi i Zotit Kerni duket se pjesërisht u bazua në adhurimin e tij për Zotin Rama dhe besimin ndaj tij personalisht. Një vendim i tillë është plot pasiguri dhe të papritura.3. Njësoj si parardhësit e tij, Kryeministri Rama nuk u ka dhënë mbështetje institucioneve artistike dhe kulturore në vend, në veçanti Teatrit të Operas dhe Baletit.
Para dorëheqjes, Ilir Kerni solli një fakt të trishtë: i gjithë buxheti vjetor artistik i TKOB-it (buxheti pa shpenzimet për rrogat) është 15 milionë lekë (rreth 110 mijë euro). Ndërkohë, nuk është shpenzuar asnjë qindarkë për investime apo mbështetje tjetër për TBOK-in. Situata është edhe më absurde, sepse duke qënë se të ardhurat nga biletat derdhen në buxhetin e shtetit dhe nuk i mbeten institucionit, buxheti artistik neto që TKOB merr nga shteti është mesatarisht vetëm rreth 3-4 milionë lekë (20-28 mijë euro) në vit. Nivelet e financimit të të gjithë institucioneve artistike dhe kulturore janë në nivele qesharake, ndërsa investimet në nivelin zero. Infrastruktura e sotme e Teatrit të Operas dhe Baletit, Teatrit Kombëtar, Galerisë së Arteve, Bibliotekës Kombëtare është ajo e investuar në vitet ‘70–80-të. Kryeministri Rama nuk ka sjellë asnjë ndryshim, madje as në fasadat e tyre. Dhe nuk është mungesë fondesh, por sepse këto institucione nuk janë prioritet. Për ta ilustruar këtë fakt, po sjellim tre shembuj nga dhjetra të tillë:- Rreth 15 milionë euro vlerësohet se do të kushtojë projekti i Sheshit Skëndërbej—baraz me buxhetin vjetor artistik të 150 vjetëve të TKOB-së ose me buxhetin neto të 450 vjetëve të TKOB-së. Një nga justifikimet e projektit të ri të Sheshit Skënderbej është që njerëzit, përfshi fëmijët, të vinë vërdallë nëpër shesh për t’u kënaqur—imagjinoni sikur këto para të shkonin për kënaqjen e tyre përmes shfaqjeve artistike.
- Rreth 2,3 milionë euro ka kushtuar rindërtimi i godinës së Ministrisë së Brendshme—rregullimi i fasadës, zgjerimi dhe rindërtimi i zyrave dhe ndërtimi i një bunkeri muze—ose buxheti artistik i TKOB-it për 16 vjet ose sa merr neto për 50 vjet TKOB për aktivitetin e tij artistik nga buxheti i shtetit. Vetëm për rindërtimin e bunkerit që u dëmtua para një viti nga disa protestues, qeveria dha menjëhere 15 milionë lekë shtesë mbi koston origjinale të ndërtimit të tij ose sa buxheti vjetor artistik i TKOB-it.
- Vetëm për logjistikën e skenës (ndriçim, zë dhe podium) Festivalit të Gjirokastrës 2015 qeveria pagoi 24 milionë lekë ose sa 6 vjet buxheti artistik neto i TKOB-së.
