Del vendimi i Kushtetueses që çon Kosovën në zgjedhje të parakohshme

exit.al 6 Janar 2021, 15:08

Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi të mërkurën vendimit e plotë që rrëzon qeverinë Hoti dhe dërgon vendin në zgjedhje të parakohshme.

Me këtë vendim, presidentja në detyrë Vjosa Osmani mund të përcaktojë datën e zgjedhjeve.

Kushtetuesja ka konstatuar që vota e deputetit, Etem Arifi, pro krijimit të Qeverisë Hoti, ka qenë e pavlefshme.

Vota e tij ishte vendimtare në formimin e qeverisë aktuale, i cili mori vetëm 61 vota në parlamentin me 120 vende, numri minimal i votave të kërkuara.

Etem Arifi, është i dënuar me vendim të formës së prerë prej më shumë se një vit burgim. Arifi ishte dënuar për veprën penale "mashtrim me subvencione".

Në vendimin e Kushtetueses thuhet se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës.

Vendimi i Kushtetueses rrëzon kështu votimin e qeverisë Hoti pasi nuk sigurohet numri i mjaftueshëm i votave në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë rast, vendi duhet të mbajë zgjedhje brenda 40 ditësh.

Kushtetuesja thotë se presidenti i Republikës duhet të shpallë zgjedhjet e reja.

Më 21 dhjetor, 2020, Kushtetuesja doli në përfundimin se qeveria e zgjedhur më 3 qershor 2020, nuk ishte në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 të Kushtetutës. Kjo pasi sipas Gjykatës Kushtetuese qeveria nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Sa i takon publikimit të vendimit nga Gjykata Kushtetuese të mërkurën, ekspertët mendojnë se gjykata i ka kaluar afatet kohore të mundshme bazuar në rregullore për publikimin e aktgjykimit të plotë lidhur me Qeverinë Hoti.

Kështu ka deklaruar Gjyljeta Mushkolaj, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës dhe ish- gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për REL.

Shpërndaje te miqtë