Çuçi e quan arrestimin e prokurorit dhe shefit të policisë proces "vetë-pastrimi"

exit.al 2 Korrik 2021, 13:45

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka vlerësuar prokurorët dhe policinë e shtetit për 28 arrestimet e kryera sot, 2 korrik, në kuadër të operacionit kundër trafikimit ndërkombëtar të drogës.

“Një vlerësim i posaçëm për prokurorët e angazhuar drejtpërdrejtë në hetim dhe gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, të agjencive që ndihmuan në këtë hetim, drejtuesve të operacionit, si dhe një falënderim për partnerët e huaj, për bashkëpunimin”, shkroi Çuçi në një postim në Facebook.

Ai e quajti arrestimin e një prokurori dhe punonjësve të policë një “proces vetë-pastrimi, nga ata që nuk e meritojnë të jenë në radhët këtyre agjencive, e do të përgjigjen para ligjit”.

SPAK, Policia e Shtetit në bashkëpunim me institucionet italaine nën koordinimin e Eurojust-is arrestuan 38 persona në 4 vende (Shqipëri, Itali, Spanjë, Mali i Zi) të përfshirë në trafik ndërkombëtarë droge.

Ata konfiskuan 3 milionë euro pasuri të pajustifikuar dhe zbuluan zinxhirin e plotë të trafikut të drogërave.