Cherie Blair mbron qeverinë serbe nga akuzat për sulm ndaj lirisë së medias

exit.al 8 Mars 2021, 14:49

Kompania e Cherie Blair "Omnia Strategy" është punësuar nga qeveria serbe për ta mbrojtur në gjyqin e hapur nga kompania hollandeze e medias United Group BV, në arbitrazhin ndërkombëtar.

Kompania holandeze e medias United Group BV e akuzon qeverinë serbe se e ka sulmuar me qëllim favorizimin e rivalit Telekom Srbija, një kompani shtetërore e telekomunikacionit.

Ata e regjistruan çështjen në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve dhe bënë thirrje për mbrojtjen e mediave të pavarura në Serbi kundër sulmeve të vazhdueshme të qeverisë. Ata thanë se veprimet e qeverisë janë thjesht për të "forcuar kontrollin e saj të pushtetit".

Grupi tha se ata kishin dokumente që tregojnë se qeveria ka planifikuan "shkatërrimin" e kompanisë holandeze.

Presidenti i vendit Aleksandar Vuçiç akuzohet rregullisht si një autokrat dhe “njeri i fortë populist”, i cili sulmon median e lirë.

Serbia ka rënë nga vendi i 67-të në të 93-tin në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të hartuar nga Reporterët pa Kufij.

Vuçiç është President Serbisë që prej vitit 2017. Më parë ai ka qënë Ministër i Informacionit në qeverinë e Sllobodan Millosheviçit.

Blair, e cila tarifon rreth 1000 paund në orë për shërbimet e saj, ishte personi i pestë i kontaktit në lidhje me mosmarrëveshjet e krijuara mes qeverisë dhe kompanisë.

Bashkëshorti i Blair, Toni Blair ka këshilluar Serbinë për gjashtë vitet e fundit në një kontratë që u financua fillimisht nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai e ka mohuar ndikimin e tij në përzgjedhjen e kompanisë së bashkëshortes së tij për të mbrojtur Serbinë.

Deri në vitin 2015, kompania “Omnia Strategy” u paguan nga qeveria shqiptare për mbrojtjen në arbitrazh ndërkombëtar kundër kompanisë Rapiscan Systems dhe S2 Albania.

Ajo fillimisht u punësua me një çmim prej gati gjysmë milioni euro. Atëherë asaj iu dhanë 150,000 EUR shtesë për këshilla mbi këtë çështje. Ndërsa, Tony Blair ka qenë një këshilltar i Ramës për disa kohë dhe kur qeveria e tij fitoi zgjedhjet e 2013.

Janë ngritur pyetje se kush po paguan për ekspertizën e Blair në Shqipëri dhe nëse ekziston një kontratë zyrtare midis tij dhe qeverisë shqiptare.

Tony Blair, ish-kryeministri britanik u kritikua fort në raportin e Luftës së Irakut Chilcot. Gjetjet e raportit sugjeruan se ai kishte gënjyer për luftën dhe kërcënimet e supozuara ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe kishte manipuluar institucionet e inteligjencës britanike për të justifikuar hyrjen e Britanisë në luftë. Kur u pyet për gjetjet e raportit, Blair tha se do të bënte të njëjtën zgjedhje përsëri.