Charlotte me luleshtrydhe, ëmbëlsira ideale për çdo festë

exit.al 16 Maj 2020, 08:35

Një nga recetat me të thjeshta dhe më me shije është kjo që JaMystic ju propozon sot.

Kjo mund të jetë një ëmbëlsirë ditëlindjeje e përkryer: Charlotte me luleshtrydhe.

Pak histori:

Luleshtrydhja, në latinisht fragaria e merr emrin nga parfumi i saj i veçantë. Origjina e saj mendohen Alpet ku ajo ende gjendet akoma në gjendje të egër. Zogjtë shtegtarë e kanë përhapur atë në të gjitha kontinentet në të cilat ajo u zhvillua e përshtatur me klimat përkatëse.

Luleshtrydhja është konsumuar që në antikitet dhe romakët bënin me të maska bukurie.

Luleshtrydhet janë të pasura në vitaminë C 67,4mg/ 100g fibra si dhe vitaminë B9.

Nevojiten:

  • Një kuti biskota Savoiardi
  • 250g luleshtrydhe
  • 30 g sheqer
  • 2 portokalle
  • 3 vezë
  • 100g sheqer
  • 250g maskarpone
  • Për këtë recetë na duhet një enë qelqi me mure të larta . Unë përdora gota uji të gjera.

Përgatisim një sallatë me luleshtrydhe duke i prerë ato në copa. I hedhim 30 g sheqer dhe i mbulojmë me lëngun e dy portokalleve. I lëmë 4 orë në frigorifer.( Kjo është një sallatë shumë e mirë edhe për t'u konsumuar pas një vakti)

Ndajmë të verdhat e vezës nga të bardhat.

Tek ena ku kemi hedhur të verdhat shtojmë sheqerin dhe e rahim deri sa masa të zbardhet dhe i shtojmë maskarpone-n.

Rahim të bardhat me pak kripë deri sa masa të bëhet voluminoze. Përzjejmë të bardhat në masën e kremit dhe përfitojmë kështu kremin si për "tiramisu".

Kullojmë luleshtrydhet nga lëngu. Ky shurup do të përdoret për lagien e biskotave kurse copat do ti hedhim tek kremi.

Fillojmë ndërtimin e ëmbëlsirës.

Ngjyejme në shurupin e luleshtrydheve biskotat e para që do të shërbejnë për bazë.

Shtrojmë bazën me një sërë biskotash të lagura si edhe muret i ngrejmë me biskota të lagura. Hedhim shtresën e parë të kremit dhe ½ e copave të luleshtrydheve. Shtrojmë përsëri një bazë me biskota të lagura dhe përsëri krem dhe copëza luleshtrydhesh e mbyllim me një sërë biskotash të lagura. E lëmë në frigorifer për 12 orë dhe është gati për degustim.

Jamystic këshillon: Nëse e bëni në enën e qelqit për të pasur me kollaj në nxjerrjen nga kallëpi sygjeroj të përdorni një film plastik para se të filloni renditjen e biskotave.