Celibashi: Problemi më i madh i sistemit biometrik, besimi nga qytetarët e partitë politike

exit.al 5 Nëntor 2020, 21:43

Kryekomisioneri i KQZ-së, Ilirjan Celibashi tregoi në emisionin ‘Me pak fjalë’ për mënyrën se si pritet të funksionojë identifikimi biometrik në zgjedhjet e vitit 2021. “Ne do të krahasojmë gjurmën e gishtërinjve me kartën e identitet dhe këto të dhëna do të kryqëzohen në rang kombëtar për të shmangur votimin e dyfishtë, votimin në zonën e ndryshme nga ajo e regjistrimit,” sqaroi ai. Celibashi sqaroi se aparaturat e vendosura në çdo qendër votimi do të jetë offline, pra jo të lidhura në një sistem qendror. “Shenjat e gishtërinjve ruhen në aparat. Më pas këto aparatura sillen në KQZ dhe aty shikohet nëse një person ka votuar dy herë,” u shpreh Celibashi. Pyetur se si do të sigurohet se shenjat e gishtërinjve nuk do të keqpërdoren, Celibashi tha se:

“Ne duhet të kemi besim tek ky sistem. Në këtë kohë kaq të shkurtër a do të jemi ne të zotët t’i tregojmë qytetarëve se ky është një sistem 100% i sigurtë, edhe për partitë politike.

Nuk duhet të ekzistojë droja për përdorimin e të dhënave biometrike. Ky shqetësim është zero.”

Ndërsa pyetur nëse vendi ka kohë mjaftueshëm për të bërë verifikimin biometrik të shtetasve në të gjithë vendin, Celibashi u përgjigj:

“Koha është kundër nesh për zbatimin e sistemit. Nuk ka lidhje me tenderimin sepse KQZ mund të aplikojë procedurat e lehtësuara në pikëpamjen e kohës. Nuk është problem as buxheti i këtij projekti. Qeveria ka shprehur vullnetin për ta mbështetur.”

Shpërndaje te miqtë