Blinken quan "Nord Stream 2" kërcënim për sigurinë e Europës

exit.al 23 Qershor 2021, 18:59

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, ka shprehur të mërkurën shqetësimet e Uashingtonit për gazsjellësin “Nord Stream 2”, duke e quajtur kërcënim për Europën dhe projekt të Rusisë.

Blinken i bëri këto komente në Berlin gjatë një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas.

"Ministri i Jashtëm dhe unë folëm sot për një nga ato fusha të mosmarrëveshjeve, gazsjellësin Nord Stream 2, i cili ne vazhdojmë të besojmë se është një kërcënim për sigurinë energjetike në Evropë", tha Blinken i cituar nga VOA.

Gazjellësi “Nord Stream 2” synon të rrisë eksportet e gazit rus në Gjermani. Ai kalon nga Rusia në Gjermani përmes detit Baltik duke shmangur kalimin e tubacioneve në shtete të tjera.

Projekti është pothuajse i përfunduar dhe i mundëson Rusisë që të kufizojë eksportet e gazit përmes Ukrainës.

Për këtë arsye, SHBA janë kundër ndërtimit të gazësjellësit.

Sipas Blinken, SHBA duan të sigurohen se Rusia nuk po e përdorë energjinë si një mjet ndikimi ndaj ndonjë shteti evropian. Ai shtoi se “Nord Stream 2” është një project gjeopolitik rus.

Gjermania ka thënë se kjo është një çështje e brendshme dhe se do t’i shkojë deri në fund projektit.