Bie numri i të vdekurve nga Covid-19 në Itali

exit.al 16 Maj 2021, 20:20

Të dielën numri ditor i të vdekurve nga Covid-19 në Itali u ul nën 100 pacient, hera e parë kjo qysh nga tetori i vitit të kaluar.

Vendi raportoi në 16 maj 93 vdekje të lidhura me Covid, ndërkohë që, javën e shkuar numri i fataliteteve ishte 139, sipas një raportimi nga The Guardian.

Edhe numri i infektimeve të reja ditore ka pësuar rënie: nga mbi 25 mijë raste të raportuara në mars, në mesatarisht 8 mijë raste ditore në fillim të majit dhe me 5753 raste të reja të dielën.

Italia ka regjistruar 124,156 vdekje të lidhura me Covid-19 qysh nga fillimi i pandemisë në shkurt 2020, vendi i dytë në Evropë pas Mbretërisë së Bashkuar për nga numri i fataliteteve.