Basha denoncon: Qytetari pret 6 ditë, me simptoma, për të bërë tamponin

exit.al 26 Tetor 2020, 13:35

Kreu i PD-së Lulzim Basha denoncoi, të hënën, se qeveria Rama nuk ka marrë asnjë masë për të përballuar valën e dytë të infektimeve me koronavirus. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Basha tha se babai një gazetari kishte pritur 6 ditë, me simptoma, për të bërë tamponin për Covid-19. “Kur shkoi në spital, pas 6 ditësh, 75 për qind e mushkërive ishte dëmtuar,” u shpreh Basha. Ai akuzoi qeverinë se vala e dytë që sapo ka nisur e gjen të papergatitur këtë qeveri dhe Edi Ramën për ta përballuar:

“Prej 9 muajsh qeveria nuk ka marrë asnjë amsaë, asnjë plan serioz për tu përballur.

Nëse plani me 5 pika do të ishte vënë në veprim që kur e propozuam, do të kishim sot kapacitete të vërteta për të përballuar fluksin e të infektuave me Covid dhe fluksin e pacientëve me sëmundje të tjera.”

Basha i bëri thirrje qeverisë që të rrisë numrin e testimeve për Covid-19 dhe të mbulojë kostot e paketës së trajtimit të Covid-19 për çdo qytetar të infektuar, pasi sipas tij ‘shumica dërrmuese e qytetarëve nuk mund ta përballojnë koston e paketës së trajtimit me paratë e tyre.’ Shpërndaje te miqtë