Arrestohen 3 persona, po transportonin 9 emigrantë të paligjshëm

exit.al 29 Korrik 2020, 09:39

Policia e Korçës ka arrestuar tre persona, të cilët po transportonin 9 emigrantë të paligjshëm drejt Tiranës.

Dy prej tyre, D. S., 22 vjeç dhe M. K., 26 vjeç, u arrestuan në rrugën Pogradec-Prrenjas, duke transportuar  5 emigrantë të paligjshëm. Emigrantët do të paguanin 1 mijë euro për person për transportin drejt Tiranës dhe më pas kalimin në një prej pikave kufitare të veriut. Destinacioni final ishte një vend i Bashkimit Europian.

Ndërsa një tjetër person, E. B., 35 vjeç, u arrestua në rrugën Ersekë-Leskovik, duke transportuar  4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt përfitimit prej 100 euro secilit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Shqipëria prej disa kohësh është kthyer si vend tranzit për kalimin e emigrantëve sirianë dhe palestinezë, për në vendet e BE-së.

Sipas arrestimeve të policisë, mesa duket rruga Korçë-Tiranë-Shkodër është rruga kryesore e përdorura nga trafikantët, kohët e fundit. Shpeshherë, dalja bëhet edhe nga Kukësi për në Kosovë dhe më pas në në Mal të Zi.

Shpërndaje te miqtë