
Protestat mund të mos arrijnë ta rrëzojnë Edi Ramën nga pushteti, por ato kanë goditur një nga shtyllat kryesore të autoritetit të tij politik: imazhin e modernizuesit europian, artistit rebel dhe intelektualit antiautoritar.
Gjatë muajve protestat kanë ekspozuar kundërthëniet mes imazhit të kultivuar të kryeministrit dhe praktikave të tij qeverisëse.
Ato kanë krijuar mundësinë që qytetarët ta ballafaqojnë rrëfimin zyrtar me realitetin dhe të vënë në dyshim justifikimet me të cilat kanë bashkëjetuar për vite me radhë.
Prandaj edhe nëse ai arrin t'i rezistojë presionit të protestave, ai nuk do të dalë nga këto ngjarje politikisht i paprekur. Shumica parlamentare i jep një qeverie mandatin për të qeverisur, por nuk e bën automatikisht të besueshëm çdo rrëfim që ajo ndërton për veten. Mandati politik dhe autoriteti moral nuk janë e njëjta gjë.
Që në vitin 1978, nën diktaturën komuniste, Václav Haveli shpjegonte se si pushteti riprodhohet jo vetëm përmes institucioneve shtypëse dhe propagandës, por edhe përmes pjesëmarrjes së përditshme të njerëzve në rituale që shumë prej tyre nuk i besojnë më.
Në esenë Fuqia e të pafuqishmëve, ai sjell shembullin e një shitësi perimesh që vendos në vitrinën e dyqanit sloganin “Proletarë të të gjitha vendeve, bashkohuni!”. Ai nuk e vendos sepse beson patjetër në të, por sepse kjo është ajo që pritet prej tij. Me këtë ritual, ai shmang problemet dhe vazhdon jetën. Por njëkohësisht ai kontribuon në riprodhimin e një sistemi me të cilin ai nuk është dakord në ndërgjegjen e tij.
Kthesa ndodh kur shitësi vendos ta heqë sloganin nga vitrina e të mos marrë më pjesë në këtë ritual të përditshëm. Veprimi i tij nuk e ndryshon menjëherë strukturën institucionale të pushtetit, por përfaqëson një shkëputje të rëndësishme nga mekanizmi i nënshtrimit.
Me këtë veprim shitësi ka filluar atë që Haveli e quan “të jetosh në të vërtetën”, duke refuzuar të vazhdojë të sillet publikisht në kundërshtim me bindjet e tij private. Fuqia e këtij akti qëndron në aftësinë për të ekspozuar karakterin artificial të një normaliteti që mbahet gjallë nga përsëritja e përditshme e sjelljeve konformiste.
Në Shqipërinë e sotme, slogani në vitrinë ka potencialin të shihet si metaforë për retorikën e modernizimit dhe europianizimit, me të cilën është justifikuar vazhdimësia e qeverisjes, ndërsa abuzimet me pushtetin dhe interesat klienteliste shpesh janë paketuar si zhvillim, investime strategjike dhe transformim ekonomik.
Për vite me radhë, njerëz që mund të kishin rezerva ndaj korrupsionit, klientelizmit, përqendrimit të pushtetit apo dobësimit të institucioneve kanë vazhduar të mbështesin publikisht një rrëfim që e paraqiste Ramën si garantues të orientimit perëndimor të vendit. Për disa, kjo ka qenë bindje e sinqertë; për të tjerë, kanë peshuar interesat, besnikëria partiake dhe krenaria që e bën të vështirë pranimin e gabimit, sidomos kur një qëndrim politik është shndërruar në pjesë të identitetit personal.
Pikërisht këtu ndërthuren fuqia e të pafuqishmëve dhe zhveshja e mitit të Ramës.
Protestat e flamingove dhe të studentëve kanë nxitur njerëzit të dalin nga rehatia e heshtjes duke e ballafaquar imazhin e kryeministrit me mënyrën se si ai e ushtron pushtetin.
Të jetosh në të vërtetën, në këtë kontekst, do të thotë të mos e quash europianizëm atë që nuk ka lidhje me standardet europiane dhe të mos e pranosh abuzimin si zhvillim.
Europianizimi nuk është çështje imazhi apo stili personal, por standardesh institucionale. Europianizmi matet me shtetin e së drejtës, me demokracinë, me kufizimin e pushtetit. Matet me respektimin e të drejtave, me lirinë e medias, me mbrojtjen e natyrës.
Për më shumë se një dekadë, Rama ka investuar kapital të konsiderueshëm politik në imazhin e një udhëheqësi modern, kozmopolit dhe europian. Arti, estetika urbane, gjuhët e huaja, marrëdhëniet me liderët ndërkombëtarë dhe komunikimi publik i sofistikuar kanë shërbyer për ta dalluar atë nga politika tradicionale shqiptare.
Por pikërisht këto elemente të identitetit të tij publik janë duke u përballur me kundërthënie gjithnjë e më të dukshme.
Fuqia e protestave të muajve të fundit nuk ka qenë vetëm te presioni që ato kanë ushtruar mbi pushtetin, por edhe hapësira dhe nxitja që ato kanë krijuar që qytetarët të çlirohen nga nevoja për të mbrojtur publikisht një mit që privatisht mbase kanë kohë që nuk e besojnë më.
Protestat e flamingove hodhën hije mbi një kryeministër që përdor artin dhe estetikën si markë politike por që qeveris duke shkatërruar bukuritë natyrore të vendit në emër të resorteve luksoze.
Kryeministri që e ndërtoi reputacionin mbi përqafimin e frymës rebele të rinisë përballet sot me akuzat e “trajtimit” me gaz lotsjellës, plumba gome dhe arrestime e ndëshkime kolektive ndaj një brezi të ri që sot nuk e mbështet më.
Imazhi i europianistit kozmopolit u zbeh nga gjuha e ulët në komunikimin me Financial Times, përplasjet personale me gazetarët e Euronews dhe CNN-it, braktisjet e intervistave me gazetarë perëndimorë të cilat kanë forcuar përshtypjen e një kryeministri të mësuar me gazetarë të kontrolluar dhe të bezdisur nga kërkesa e llogarisë.
Por ndoshta kundërthënia më domethënëse lidhet me imazhin e vetëreklamuar të Ramës si disident antiautoritar. Këtu krahasimi me Havelin merr një dimension veçanërisht ironik.
Haveli e vuri krijimtarinë dhe reputacionin intelektual në shërbim të kundërshtimit të pushtetit komunist. Rama e ka shitur veten si disident në kohën e komunizmit, duke e kthyer këtë reputacion në burim legjitimiteti politik. Por kritikat për përqendrimin e vendimmarrjes, dobësimin e autonomisë institucionale dhe personalizimin e pushtetit kanë vënë në diskutim këtë mit, duke nxjerrë në pah ngjashmëritë me autokratët komunistë.
Retorika për agjentë të huaj dhe ndikime të errëta pas protestave të kujton autokratët modernë si Putini apo Orbani që kanë përhapur dyshime për ndikime të huaja për të delegjitimuar kundërshtimin qytetar.
Natyrisht, Shqipëria e sotme nuk mund të barazohet me Çekosllovakinë komuniste të Havelit. Analogia nuk qëndron te ngjashmëria e regjimeve, por te mekanizmat e konformizmit dhe vetëjustifikimit që mund të shfaqen edhe në shoqëri pluraliste.
Një pushtet nuk mbështetet vetëm te institucionet që kontrollon, por edhe te rrëfimet që qytetarët pranojnë të përsërisin për të. Kur këto rrëfime humbasin besueshmërinë, autoriteti politik mund të dobësohet edhe pa ndryshuar menjëherë raportet formale të pushtetit.
Në fund të fundit, shitësi i perimeve i Havelit nuk e rrëzoi regjimin kur hoqi sloganin nga vitrina. Ai thjesht refuzoi të vazhdonte të merrte pjesë në gënjeshtrën që e mbante atë në këmbë.
Edhe protestat e muajve të fundit kanë krijuar mundësinë që qytetarët të vënë në dyshim mitet me të cilat kanë justifikuar pushtetin për vite me radhë.
Fuqia e të pafuqishmëve fillon kur njerëzit nuk pranojnë më të gënjejnë veten për të justifikuar pushtetin. Rama mund ta ruajë karrigen, por nuk mund t'i detyrojë qytetarët të vazhdojnë ta mbajnë në vitrinë mitin e tij.
Shpërndaje te miqtë
