Ardian Dvorani: KLGJ nuk ka kompetencë të shqyrtojë mandatin tim

exit.al 4 Maj 2020, 16:23

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani deklaroi se Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka kompetencë të shqyrtojë mandatin e tij.

Gjyqtari Dvorani, argumeton se të drejtën për të deklaruar përfundimin e mandatit të tij e ka Gjykata e Lartë.

Në përgjigje të kërkesës së Presidentit Meta për mbarimin e mandatit të tij, Dvorani pohon se zëvendësimi në Gjykatën e Lartë nuk bëhet me emra nominal, por me pozicione. Kështu anëtarët e rinj nuk zëvendësojnë nominalisht gjyqtarin Dvoranin.

Kushtetuta përcakton se anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë zëvendësojnë anëtarët të cilëve ju ka mbaruar mandati.

Gjyqtarit Dvorani i ka mbaruar mbaruar mandati që prej vitit 2014, shumë më herët se të gjithë anëtarëve e tjerë të Gjykatës së Lartë, të cilët dhanë dorëheqjen apo u shkarkuan nga vetingu.

Në përputhje me përcaktime dhe frymën kushtetuese, vendi i tij duhet të ishte i pari për t’u zëvendësuar dhe Dvorani duhet të largohej që në momentin e emërimit të anëtarit të parë të ri të Gjykatës së Lartë.

Nesër, pritet që KLGJ  të vendosë për mbarimin ose jo të mandatit të Ardian Dvoranit në Gjykatën e Lartë.

Exit ka paralajmëruar më herët se KLGJ po përgatitet të mbajë në detyrë Ardian Dvoranin, deri në emërimin e anëtarit të fundit.