Ambasadorja Kim nxit KPA për veting të paanshëm për Prokuroren Imeraj

exit.al 22 Qershor 2021, 10:33

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka nxitur organet e vetingut të marrin një vendim të pandikuar ndaj kryeprokurores së Tiranës, Elizabeta Imeraj, një ditë pasi Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) kërkoi shkarkimin e saj.

ONM i kërkoi dje Komisionerit Publik të apelojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të Imerajt. ONM sugjeron se Imeraj nuk duhet të kalojë vetingun në asnjë nga tre kriteret: pasuria, pastërtia e figurës dhe profesionalizmi.

Në një postim në Twitter, ambasadorja tha se ajo do ta ndjekë këtë rast. Ajo e nxiti Komisionin e Posaçëm i Apelimit të japë drejtësi me guxim dhe integritet, si dhe median që ta mbulojë vetingun e prokurores Imeraj pa rënë pre e presioneve.