Ambasadori rus në Tiranë: "Ekonomia është marrë peng nga politika"

exit.al 28 Nëntor 2015, 12:40

Ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksandër Karpushin, ka dhënë dje një intervistë për gazetën Shekulli. Ambasadori rus ka qënë i drejtpërdrejtë dhe kritik në vlerësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ndër të tjera ai ka theksuar:

  • Shqipëria nuk e konsideron Rusinë partner potencial të rëndësishëm. Arsyeja që japin diplomatët shqiptarë është se “Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për në BE dhe ka angazhime të caktuara që rrjedhin nga ky status. Dhe pikërisht këto angazhime gjoja e pengojnë bashkëpunimin me Rusinë.” Por kur u kujton kolegëve shqiptarë se “vendet anëtare të NATO-s dhe të BE-së si Greqia, Sllovenia, Hungaria e shumë të tjera, vazhdojnë dialogun me Rusinë, bashkëbiseduesit e mi zakonisht nuk kanë një përgjigje për të kthyer.”

  • Përfaqësuesit e disa prej këtyre kompanive ruse, pararojë botërore në naftë, gaz, minerale, energji kanë studiuar mundësinë e investimit në Shqipëri, dhe kanë patur propozime konkrete dhe të pjekura. Interesi i tyre nuk ka gjetur mbështetjen e qeverisë shqiptare.

  • “Shqipëria ndodhet në një situatë kur ekonomia është marrë peng nga politika.”

  • Vëllimi tregtar vjetor mes dy vendeve është rreth 100-110 milionë dollarë, i përbërë pothuajse i gjithi nga eksportet ruse në Shqipëri.

  • Në vitin 2014, Shqipëria, pavarësisht se iu bashkua sanksioneve antiruse, nuk u përfshi në listën e vendeve që iu nënshtruan embargos ruse. Eksportet shqiptare drejt Rusisë u rritën shumëfish, por për fat të keq, u ndërprenë pas zbulimit të falsifikimeve në shkallë të gjerë të certifikatave fitosanitare.

  • Verën e shkuar, Shqipëria iu bashkua përsëri sanksioneve shtesë kundër Rusisë dhe për rrjedhojë Rusia e përfshiu në listën e kundërmasave.

  • Tirana, pa shpjeguar shkaqet, po zvarrit nënshkrimin e disa dokumenteve dypalëshe ndërinstitucionale në fushën e luftës kundër trafikut të drogës.