Ambasadori gjerman: Djegia e mbetjeve me kosto të madhe

exit.al 30 Shtator 2021, 18:51

Ambasadori gjerman, Peter Zingraf sugjeroi menaxhimin e mbetjeve në Shqipëri përmes riciklimit, duke thënë se metoda e djegies përmes incenerimit është proces tejet i kushtueshëm.

“Djegia është një proces tejet i kushtueshëm.  Të gjitha zgjidhjet duhet të peshoheshin mirë në këtë kontekst, por unë mendoj se ndarja, përpunimi i mbetjeve dhe riciklimi i tyre është rruga e duhur”, tha Zingraf nga Cërriku ku inspektoi një investim gjerman për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Zingraf deklaroi gjithashtu se procesi i riciklimit përmbush një nga direktivat e Bashkimit Europian për menaxhimin e mbetjeve, duke e sugjeruar këtë proces edhe për bashki të tjera të vendit.

Ndërsa shumë njerëz dhe organizata janë të etur për të ricikluar mbeturinat në Shqipëri, qeveria nuk është e interesuar.

Djegia e mbeturinave për qëllime energjetike përbën vetëm 1.1%, pavarësisht se qeveria paguan koncesione të shtrenjta për inceneratorët e mbeturinave.

Shkalla e riciklimit është në nivelin më të ulët në tre vitet e fundit, duke rënë në vetëm 18.1%.