"Nuk më takon mua të them nëse Saimir Tahiri është fajtor, apo jo. […] Ju nuk jeni as gjykatës dhe as prokurorë, por qytetarë që votoni. Ju i keni dhënë besimin tuaj këtij personi si deputet dhe si një minsitër i rëndësishëm në qeveri. Është e drejta juaj që të kërkoni që publiku të dijë të vërtetën rreth kësaj çështjeje. Nëse ai është i pafajshëm, njerëzit duhet ta dinë këtë gjë. Nëse ai është fajtor, ai duhet të përballet me drejtësinë."
(Kjo mbrojtje që Donald Lu i bëri atëherë Saimir Tahirit na nxiti që të shkruanim këtë artikull satirë.) Në përgjigje të pyetjes së Fevziut se kur do të arrestoheshin “peshqit e mëdhenj” në politikë, Lu deklaroi se Tahiri “po hetohet dhe unë besoj se ne jemi afër një padie penale”. Por pasi u pyet nga Fevziu pse mendonte se hetimet për Tahirin po përfundonin me një padi penale, Lu dha një përgjigje që dukshëm kundërshtoi deklaratën që sapo kishte bërë:“Nuk jemi në mbyllje të çështjes, por është qëndrimi i qeverisë së SHBA-ve dhe ambasadës së SHBA-ve që çështja kundër Saimir Tahirit meriton të vendoset nga një gjykatës, jo të vendoset nga politikanët, jo të vendoset nga prokurorët që nuk bëjnë punën e tyre. Por duhet të vendoset nga një gjykatës që do të shqyrtojë me transparencë të gjitha provat e çështjes.”
(Vini re referimin edhe ndaj "qeverisë” edhe ndaj “ambasadës” së SHBA-ve—thua se ambasada ka qëndrim të vetin, ndryshe nga qeveria amerikane.) Asnjë fjalë për bllokimin e arrestimit të Saimir Tahirit nga Partia Socialiste. Asnjë fjalë për faktin se që kur Arta Marku u emërua, me mbështetjen e Ambasadës së SHBA-ve, në mënyrë antikushtetuese Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, çështja Tahiri është ngadalësuar dukshëm. Adriatik Llalla Me "prokurorët që nuk bëjnë punën e tyre", Ambasadori Lu sigurisht që nuk iu referua Arta Markut. Me këtë shprehje ai iu drejtua ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, të cilin Donald Lu e ka sulmuar hapur disa herë në të shkuarën. Megjithatë, nëse shohim objektivisht mandatin e Llallës si Prokuror i Përgjithshëm, vëmë re në fakt ai është i pari prokuror që filloi hetime serioze për politikanët, ndonëse pak prej tyre janë çuar deri në fund: çështja kundër ish-Ministrit Saimir Tahiri, çështja dhe dënimi i ish-ministrit Spiro Ksera, çështja e ish-Ministrit Ilir Beqaj, e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, e ish-kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi, e kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, e ish-kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika dhe çështja kundër ish-deputetit socialist Alfred Peza u hapën nën drejtimin e Adriatik Llallës. Pa përfshirë këtu rastet e dhjetra deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë të hetuar në bazë të ligjit të dekriminalizimit, hetime që çuan në largimin nga parlamenti të të paktën pesë prej tyre. Deri më tani duket se Llalla ka punuar shumë më mirë se Marku, e cila ka urdhëruar ekstradimin e paligjshëm të Nezar Seitit, dëshmitarit kyç të çështjes Tahiri-Habilaj; ka lejuar arratisjen e trafikantit të 613 kilogramëve kokainë, Arbër Çekaj; dhe ka lejuar lirimin me kusht të Orest Sotës, të cilit ju gjetën 836 mijë euro cash në makinë bashkë me dy patenta për drejtimin e skafëve në emër të Saimir Tahirit, dhe i cili përmendet disa herë në dosjen e Jaeld Çelës, drejtorit të arratisur të Policisë së Vlorës. Gjatë intervistës me Blendi Fevziun, Ambasadori Lu deklaroi haptazi se "ne e dimë që ka një hetim nga prokuroria [kundër Llallës] për korrupsion. Ky hetim mbështetet nga qeveria amerikane.” Thashethemet rreth këtij hetimi u raportuan nga Deutsche Welle në fund të marsit, duke i referuar "një burimi diplomatik ", por një hulumtim i Exit.al zbuloi se asnjë hetim i tillë nuk ishte duke u zhvilluar zyrtarisht—të paktën deri para një jave në kohën e interesimit tonë. Çfarë duhet të mendojmë ne, atëhere, për faktin se Ambasadori Lu deklaron hapur "mbështetjen" e qeverisë së SHBA-ve për hetimin e një ish-prokurori, hetim që të paktën është i paqartë se për çfarë dhe mbi çfarë faktesh mbështetet, ndërsa po i njejti ambasador bën thirrje për gjykimin e Tahirit vetëm nga prokurorë të caktuar dhe nga gjykatës të paanshëm, të cilëve ai u kërkon t’i shyrtojnë provat me "transparencë", edhe pse për Tahrin ka prova të rënda inkriminuese në dy shtete të ndryshme? Pse Donald Lu po tregon këtë urtësi e maturi të tejskajshme për Tahirin, ndërsa Llallës nuk i ofron as maturinë më minimale? Në fakt, sipas faqes zyrtare të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, sfida kryesore me të cilën ndeshet mbështetja që SHBA-të japin për zbatimin e ligjit në Shqipëri janë “rrjetet kriminale ndërkombëtare me bazë në Ballkan [të cilat] kanë ndikim të drejtpërdrejt mbi SHBA-të përmes aktiviteteve kriminale, disa përmes krimit kompjuterik dhe të tjerat përmes trafikimit.” Për më tepër, para pak kohe, Presidenti i SHBA-ve Donald Trump dhe Prokurori i Përgjithshme Jeff Session urdhëruan të gjithë hetuesit federalë amerikanë të kërkonin dënime të ashpra kundër trafikantëve të drogës, përfshi dënimin me vdekje (të cilin, sa për informacion, unë e konsideroj të neveritshëm.) Pra, është e qartë se çështja e trafikimit të drogës nga ish-Ministri i Brendshëm duhet të jetë shumë më urgjente për Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë se sa çështja e korrupsionit të pretenduar të ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Por, në të vërtet, po ndodh pikërisht e kundërta. Arsyeja për këtë gjendje kureshtare nuk është e vështirë të gjendet. Ndërsa Ambasadori Lu ishte personalisht përgjegjës për futjen e Saimir Tahirit në një takim me ish-Presidentin Amerikan Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë në shkurt 2015, Adriatik Llalla e ka kritikuar hapur ambasadorin amerikan për ndërhyrje në hetimin e rastit të dëmtimit të shtëpive të qindra banorëve shkaktuar nga Bankers Petroleum në Fier, duke i kërkuar personalisht Llallës të ndërpriste hetimet. Prandaj qendrimet e ndryshme të Donald Lusë ndaj Tahirit dhe Llallës nuk janë rezultat apo pasqyrim i politikës së qeverisë së SHBA-ve. Ato janë rezultat i veprimeve dhe ndjenjave personale të ambasadorit amerikan. Dhe në momentin kur personalja merr përparësi ndaj përfaqësimit të vendit të tij në atë mënyrë që çon përpara interesat strategjike të këtij vendi, dikush mund të pyesë me të drejtë: çfarë i ka ndodhur diplomacisë amerikane! Shpërndaje te miqtë
