Ambasadori britanik apel partive për transparencë në financime

exit.al 29 Janar 2021, 12:09

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Dunkan Norman i bëri apel partive që të jenë transparente për mënyrën se si financohen.

Në një konferencë për integritetin e partive politike, të premten, Norman u shpreh se pavarësisht reformave, ‘vazhdon të ketë mungesë transparence sa i përket financimit të partive politike’.

Ambasadori tha se për shkak të mungesës së transparencës, qytetarët po humbasin besimin tek partitë.

Ai i konsideroi zgjedhjet e 25 prillit si sfidë, për të parë nëse partitë do të zbatojnë rregullat për financim të ligjshëm, të ndershëm dhe transparent.

Përfaqësuesit e partive politike PD-PS-LSI ranë dakord në Këshillin Politik për të pasur financim miks në fushatë, sipas formulës 1 me 3, çka do të thotë se nëse një parti merr nje lek nga shteti, ajo mund të marrë 3 lek nga privati.

KQZ pritet që të miratojë në javët në vijim, rregullore më të qarta për financimin e partive politike.

Shpërndaje te miqtë