Ali Ahmeti dhe Zoran Zaev drejt formimit të koalicionit qeverisës

exit.al 17 Gusht 2020, 14:35

Duket se partia shqiptare në Maqedoninë e Veriut Bashkimi Demokratik për Integrim është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për koalicionin qeverisës me partinë e Zoran Zaevit, LSDM. Në një njoftim për shtyp, partia e Ali Ahmetit shkruan:

“Ekipet e BDI-së dhe LSDM-së gjatë fundjavës dhe ditës së hënë kanë punuar intensivisht në krijimin e një marrëveshjeje cilësore, të shpejtë dhe të plotë të koalicionit në ditët e para të afatit të përcaktuar me kushtetutë prej 20 ditësh pas marrjes së mandatit.”

Të martën pritet që të takohen Ahmeti dhe Zaev, ku pritet arritja e marrëveshjes përfundimtare. BDI fitoi 15 deputetë në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut, gjë që e bën faktor në krijimin e koalicioneve për krijimin e mazhorancës qeverisëse. Ndërsa LSDM-ja ka 46 deputetë. Të dyja bashkë ato kanë 61 mandate nga 120 në total, aq sa nevojitet për të formuar qeverinë e re. Nuk dihet ende se cilat poste do të marrë partia shqiptare. Ali Ahmeti ka deklaruar disa herë se ai kërkon postin e kryeministrit, si kusht për koalicion me partitë maqedonase. Shpërndaje te miqtë