Rama nuk është Shqipëria

Fitim Salihu 18 Tetor 2026, 04:16

Rama nuk është Shqipëria

Çdo regjim, kur i vjen fundi, në shkelmat e tij të fundit, sajon teori konspirative me armiq të jashtëm e shërbime agjenturore. I lëvezon këto si revole për me frikësu popullin. Ama veç revole e zbrazët. E, qysh thojnë, revolja e zbrazët, bash pse është e zbrazët, e rreme, në dallim prej asaj të mbushurës, i frikëson dy palët, jo vetëm atë që i drejtohet, por edhe atë që e ka në dorë.

Nëse ka ndërhyrje të shërbimeve të huaja për me rrënu Shqipërinë, këtu fajtor është vetëm Edi Rama. Ai e ka në dorë ndaljen e protestave. Shmangien e ndërhyrjeve të huaja armiqësore, nëse po ekzistokan. Jep dorëheqje, shko në zgjedhje. Pasi pretendon që ende po të do populli, fitoji zgjedhjet, qeveris prapë. Nëse i humb zgjedhjet, shko në opozitë.

Nuk humb Shqipëria, humb vetëm Rama.

Është arrogancë narcize me mendu që fundi yt si pushtet është fundi i Shqipërisë si shtet. Ose i proceseve të saj eurointegruese.

E dyta, nëse ka ndërhyrje të shërbimeve të huaja për me rrënu Shqipërinë, sërish fajtor është vetëm Edi Rama. Çfarë ka bo SHISH-i që s’e paska parandalu këtë ndërhyrje? Kështu, pra, kur e kthen shërbimin sekret në aparat partiak dhe në fikëse radarësh... Edhe për dështimin e SHISH-it në parandalimin e ndërhyrjes eventuale të shërbimeve të huaja, prapë Rama duhet me dhonë dorëheqje.

Por, se ç’është ky fiksim i liderucave ballkanikë me pa dorëheqjen si dobësi!!! Sidomos, përballë protestave. Mendësi patriarkale. Panikojnë se mos “zhburrnohen” nëse dorëhiqen përkundrejt presionit qytetar.

Ngecin aty, këmbëngultas, si gomari në lloç, deri në theqafje, deri në greminë. Më e keqja, orvaten me marrë me vete në greminë edhe shtetin, edhe shoqërinë. Fodullëk megaloman e delirant që, në kokën e vet, e njëjtëson vetveten me shtetin. L’État, c’est moi. Shteti jam unë, siç thoshte Mbreti Lui XIV.

Edi Rama duhet me ditë që në Evropë nuk mbahet pushteti me dajak e me plumba gome. Kaq pati kuptu edhe një lider i zhvilluar politikisht në diktaturë si Ramiz Alia. Prandaj, kaq duhet me ditë edhe një lider i zhvilluar politikisht në demokraci.

Një qeveri me kaq shumë skandale korrupsioni, me afera e me hetime – përfshirë shumicën dërrmuese të zëvendëskryeministrave e ministrave, përfshirë krerë të institucioneve të pavarura të sigurisë – është dashtë me dhonë dorëheqje morale edhe po të mos kishte pas protesta.

Më së voni është dashtë me dhonë dorëheqje pas 140 ditë protestash paqësore. Jo me prit me u shndërru ato në revoltë të dhunshme. Prandaj, Edi Rama mban përgjegjësi edhe për përshkallëzimin e protestave në dhunë. Kjo, një arsye më shumë pse ai duhet me dhonë dorëheqje dhe Shqipëria duhet me shku në zgjedhje të parakohshme.

Si një ish-aktivist studentor, shoh me simpatinë më të madhe çdo protestë studentore. Posaçërisht kur kjo ndodhi në vendin tim amë.

Po thonë se nuk është protestë studentore vetëm sepse studentët po dashka të jenë kokulur dhe jo nga ata që thyejnë e djegin. Jo, studentët edhe mësojnë, edhe studiojnë, edhe, në rast se e lyp koha, kthehen në ushtarë të kauzave fisnike.

Në një Shqipëri antivlerash, ku lartësohen çunat gangsterë e vajzat me pushtet, po mbijetonte një Shqipëri tjetër, e fshehur, e padukshme, e injoruar. Rriti jetën rraskapitur nën hije një brez në periferi, larg kamerave të televizioneve dhe shtretërve të kompozitorëve, i cili refuzoi antivlerën ta pranonte si vlerë. Siç thoshte Eduardo Galeano, “hanim frikë për mëngjes, frikë për drekë dhe frikë për darkë, por nuk na bënë dot si veten e tyre.”

Kjo Shqipëria e fshehur jetoi drobitur nën thundrën e antivlerës, por atje, mes punës në banak dhe studimeve në universitet, nuk e lartësoi kurrnjëherë antivlerën mbi dinjitetin. Dhe, më në fund, shpërtheu si vullkani, doli në pah nga periferia, nxori krye nga nëntoka.

Brehti thoshte se i mjerë është ai vend që ka nevojë për heronj.

Dhe Shqipëria jonë duket se ka qenë aq e mjerë dhe e palumtur sa ka pas nevojë që për heronj t’i bëjë 16-vjeçarët e 19-vjeçarët, që na erdhën si personazhe të Migjenit, këta “të bijtë e shekullit të ri, filiza të një toke të rimun me lot, ku djersa e ballit u dikonte kot” që beftas “plakun e lanë në shejtninë e tij, e çuen grushtin për me luftue, ndër lufta të reja dhe me fitue...

 

Shpërndaje te miqtë