"2. Në rastin e parashikuar nga shkronja f), Ministria e Drejtësisë fton shtetin kërkues që të kërkojë njohjen e vendimit penal të huaj dhe ekzekutimin e tij. Në rastin kur kërkesa paraqitet, zbatohen dispozitat e neneve 512 e vijues të këtij Kodi."
Mbledhja e Komisionit të Çështjeve Ligjore, e mbajtur në datën 13 mars 2017, e kryesuar nga Fatmir Xhafaj dhe e bojkotuar nga Partia Demokratike, me pjesëmarrjen e ekspertëve ligjore përfshirë eksperten ligjore të EURALIUS Koraljka Bumçi dhe ekspertin e OPDAT-it John Smibert, nuk ka asnjë diskutim mbi ndryshimet e propozuara në nenin 491 në KPK për ekstradimin në përgjithësi. Në mbledhjen e datës 20 mars 2017, sërish e kryesuar nga Fatmir Xhafaj dhe e bojkotuar nga PD, komisioni miratoi ndryshimet në nenin 491 të KPK-së të propozuar në ligjin 35/2017 neni 268, pa asnjë ndryshim. I njejti nen u miratua sërish në mbledhjen e tretë të komisionit të mbajtur më 21 mars 2017 pa asnjë diskutim. Megjithatë, diçka në tekstin e ri tashmë të Kodit të Procedurës Penale ndryshoi nga periudha e mbledhjes përfundimtare të Komisionit të Çështjeve Ligjore deri në momentin që draft ligji u paraqit në Kuvend. Në raportin e dërguar nga Komisioni i Ligjeve në Parlament shkruhet se teksti i plotë i ligjit 35/2017 reflekton përfundimet e diskutimit publik të mbajtur në komision dhe të gjitha komentet e dhëna nga ekspertët ligjorë, përfshirë ato të OPDAT dhe EURALIUS, më shumë detaje të ndryshimeve të nenit 491, të KPK-së paraqiten në faqen 32:“Në nenin 491 të Kodit në lidhje me rastet e ndalimit të ekstradimit janë shtuar dhe dy paragrafë të tjerë përveç atyre të parashikuara siç janë “kur është parashkruar ndjekja penale ose dënimi sipas ligjit të shtetit kërkues ose të shtetit të kërkuar”, si dhe “kur i personi i kërkuar është dënuar në mungesë dhe nuk jep pëlqimin për t’u ekstraduar”, të cilat reflektojnë respektimin e parimit të procesit të rregullt ligjor dhe parashikimeve të Protokollit IV Shtesë të Konventës së Ekstradimit;”
Gjithashtu, në rastin kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë dhe nuk jep pëlqim për ekstradim atëherë është shtuar në nenin 491 pika 2, duke përcaktuar se Ministria e Drejtësisë fton shtetin kërkues që të kërkojë njohjen e vendimit penal të huaj dhe ekzekutimin e tij. Në rastin kur kërkesa paraqitet, zbatohen dispozitat e neneve 512 e vijues të këtij Kodi;”
Deri më këtu këto ndryshime reflektohen në tekstin fillestar të draft ligjit, si dhe diskutimet e mbajtura në Komisionin e Çështjeve Ligjore. Sidoqoftë, teksti i plotë i ligjit 35/2017 i përfshirë si një aneks i raportit ndryshon tërësisht amendimet në faqen 124:Pika 470 e draftligjit thotë:
Neni 491 ndryshon si më poshtë: f) kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit.
Ndërsa pika 2 e nenit 491 nuk rezulton më fare të jetë pjesë e draftligjit që do të votohej në parlament.
Pra pika (f) e nenit 491, nga esktradimi i të dënuarit nuk lejohet “kur i personi i kërkuar është dënuar në mungesë dhe nuk jep pëlqimin për t’u ekstraduar”, u ndryshua në fund të raportit në esktradimi i të dënuarit nuk lejohet “kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit” Ky i fundit është edhe varianti i miratuar, - me ndryshime në pikën f dhe fshirje totale të pikës 2 të nenit 491, - vetëm me votat e Partisë Socialiste në Kuvend (PD bojkotoi seancën). Me fjalë të tjera, diku ndërmjet faqes 32 dhe faqes 124 të raportit të firmosur nga Xhafaj, ndryshimet në nenin 491 të KPK-së kanë ndryshuar nga një praktikë që i jep mundësinë një vendimi të huaj të njihet në Shqipëri nëse një shtetas shqiptar nuk pranon të ekstradohet dhe kërkon që shteti i huaj të “japë sigurinë për rishikimin e vendimit” në një kusht për ekstradimin e një shtetasi shqiptarë të gjykuar në mungesë.
