600 mjekë marrin dozën e parë të vaksinës, mungojnë dozat e dyta

exit.al 28 Janar 2021, 13:30

600 mjekë e infermierë kanë marrë një dozë të vaksinës anti-Covid, deri më 28 janar.

Njoftimin e bëri Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, të enjten, në kuvend.

Ministrja nuk tha se kur priten të vijnë dërgesa e parë nga kompania Pfizer, 10750 doza të cilat duhet të kishin ardhur në javën e tretë të janarit.

Vaksinimi nisi në Shqipëri në 11 janar, me 975 doza të vaksinës Pfizer dhuruar nga një vend ende i panjohur.

Mbetet e paqartë se si do të marrin 600 mjekët e vaksinuar, dozën e dytë të vaksinës, e cila duhet të bëhet 2-3 javë pas asaj të parës.

Marrja e dozës së dytë ishte planifikuar të niste në 2 shkurt.

Ministria nuk ka bërë ende publik se ç'do të ndodhë, nëse deri në fillim të shkurtit, Pfizeri nuk sjell vaksinat.

Manastirliu tha vetëm se qeveria po bisedon ‘me vendet e tjera evropiane për të siguruar dozat e duhura’ të vaksinës.

Në 15 janar, kompania Pfizer ka lajmëruar se do të ketë vonesa në shpërndarjen e vaksinës për shkak të investimeve që po bën për të rritur kapacitetet prodhuese.

Shpërndaje te miqtë