Ambasadori britanik: Kanabisi është problem serioz - Pikat kryesore të intervistës

exit.al 20 Tetor 2016, 10:54

Ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar Duncan Norman, në një intervistë për Mapo.al,  shprehu sot shqetësimin për disa nga problemet kryesore në Shqipëri.

Zoti Duncan foli për rritjen e kultivimit të kanabisit, korrupsionin, institucionet e dobëta dhe rëndësinë që Shqipëria duhet t’i japë luftës ndaj krimit për të përmirësuar imazhin.

Më poshtë janë disa nga deklaratat kryesore të ambasadorit Norman:

Për luftën ndaj krimit:

  • Ajo që po vëmë re së fundmi me kultivimin e kanabisit në Shqipëri është diçka që na shqetëson.

  • Duke vazhduar vendosjen e lidhjeve midis agjencive ligjzbatuese ne mund të vazhdojmë të ndihmojmë Shqipërinë në lidhje me një problem serioz si ky.

  • Aktualisht janë rreth 400-500 shqiptarë që vuajnë dënimet e tyre në burgjet angleze. Është një numër shumë i madh, i mjaftueshëm për të ngritur një burg më vete.

  • Ne e dimë se fatkeqësisht qytetarë shqiptarë janë përfshirë në krimin e organizuar në Britaninë e Madhe. Kjo përfshin edhe trafikimin e drogave serioze si kokaina apo heroina.

  • Çështjet e shqiptarëve të lidhur me krimin e organizuar janë shumë të njohura në Britaninë e Madhe.

  • Kjo është diçka që nevojitet të zgjidhet. Nëse e zgjidhim, do të ishte një hap i madh drejt përmirësimit të imazhit të Shqipërisë në Britaninë e Madhe.

 

Për korrupsionin dhe institucionet:

  • Mendoj se korrupsioni është një problem i madh në Shqipëri, ndikon në të gjitha pjesët e shoqërisë.

  • Ky është një problem gjithëpërfshirës dhe mënyra e vetme për t’u marrë me të është të bësh gjëra si Reforma në Drejtësi. Kjo e fundit është një hap i rëndësishëm për ta luftuar korrupsionin.

  • Institucionet janë shumë të reja, të dala nga një demokraci 25-vjeçare. Ne e dimë që sistemi i drejtësisë është shumë i dobët. E njëjta gjë me Parlamentin, është i ri. Prandaj ka shumë për të mësuar këtu se si funksionon demokracia.

  • Media në Shqipëri është një nga institucionet që është relativisht e re dhe ne duam të mbështesim median e lirë. Në çdo demokraci, media luan një rol kyç.

  • Ne e kuptojmë përse Shqipëria dëshiron të jetë pjesë e BE-së. Por pika reale dhe më e rëndësishme e këtyre reformave është se çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë, çfarë po bën Shqipëria në këtë drejtim …për tu bërë një shoqëri më e mirë. Kjo duhet të jetë forca shtytëse dhe jo thjesht anëtarësimi në BE si një qëllim në vetvete.

Shpërndaje te miqtë