Presidenti kthen ligji e mbetjeve në Kuvend

exit.al 14 Tetor 2016, 13:53

Presidenti Bujar Nishani ktheu sot në Kuvend ligjin për lejimin e importimit të mbetjeve në vend. Ligji i importit të mbetjeve u miratua në Kuvend, pavarësisht protestave të vazhdueshme të qytetarëve.

Arsyet e cituara në dekretin e Presidentit janë si më poshtë:

  • Ligji është në kundërshtim me direktivën e BE 2008/98/EC, në të cilin thuhet se çdo shtet duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta dhe mbetjet duhet të trajtohen afër burimit të prodhimit.

  • Ligji i mbetjeve nuk është një detyrim i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

  • Ligji është në kundërshtim me konventën e Bazelit të ratifikuar në 1997, sipas së cilës “ndalohet importimi i mbetjeve të rrezikshme dhe mbetjeve të tjera në qoftë se ka arsye të besohet që mbetjet në fjalë nuk do të trajtohen në një mënyrë të shëndoshë nga ana mjedisore”.

  • Ligji ka shkelur Konventa e Aarhus “Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”.

  • Ligji bie ndesh me nenin 59 të Kushtetutës, përmes të cilit përcaktohet se: ''Shteti brenda kompetencave dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm''.

  • Ligji është në kundërshtim me nenin 56 të Kushtetutës referuar të drejtës së qytetarëve për t’u informuar me gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij.

  • Sipas progres raporteve të BE-së, vendi ynë nuk ka kapacitetet e duhura të kontrollit dhe monitorimit institucional, të cilat do të lejonin kontrollin efektiv, moslejimin dhe mospërdorimin e importimit të mbetjeve jo të rrezikshme.

  • Nuk janë bërë investigimet e nevojshme pranë doganave të vendit dhe pranë impianteve të riciklimit.

Shpërndaje te miqtë