Humb jetën në maternitet nëna dhe foshnja e sapolindur - Çfarë dihet deri tani?

exit.al 16 Shtator 2016, 13:27

Një grua 35 vjeçare dhe foshnja e saj e porsalindur humbën jetën mëngjesin e sotëm në maternitetin “Koço Gliozheni”, në Tiranë.

Ja çfarë dihet deri më tani:

  • Viktima me inicialet A.D ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë.

  • Në mesnatë, ajo ka shkuar në maternitetin “Koço Gliozheni” pasi ka pasur komplikacione.

  • Mjekët roje të maternitetit e kanë dërguar pacienten drejt Urgjencës së zemrës, në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë. Këta të fundit e kanë dërguar pacienten në Sanatorium, e më pas sërish në maternitet.

  • Familjarët e viktimës deklaruan se pacientja qëndroi mbi 20 minuta jashtë spitalit, pasi mungonte barela dhe bombola e oksigjenit për ta transportuar.

  • Sipas familjarëve, mjekët roje u treguan neglizhentë dhe nuk erdhën në kohë për t’i dhënë ndihmë gruas. Kirurgu po ashtu ka mbërritur pas dy orësh.

  • Rreth orës 05:00 së mëngjesit, familjarët janë lajmëruar nga mjekët se foshnja e sapolindur ka humbur jetën dhe më pas, në 06:10 janë lajmëruar për vdekjen e nënës.

  • Autopsia e trupit tregoi se viktimës i ishte çarë shpretka dhe kishte hemorragji të brendshme.

  • Mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” deklaruan se viktima kur është kthyer nga sanatoriumi ishte pothuaj në kushte të vdekjes klinike. Sipas tyre, çarja e shpretkës konstatohet vetëm me anë të skanerit, të cilin materniteti nuk e ka.

  • Mjekët e “Koço Gliozhenit” pretendojnë se viktimës duhet t’i ishte bërë skaneri në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë.

  • Prokuroria e Tiranës po vazhdon hetimet dhe kanë shoqëruar mjekët për t’i marrë në pyetje.

Shpërndaje te miqtë