Që Petrolifera e Vlorës të mos ndotë detin

exit.al 3 Qershor 2016, 12:34

Një anije çisternë turke, më flamur maltez, ndoti plazhin e Nartës para pak javësh, në kohën kur po furnizohej me naftë bruto nga impianti i Petroliferës Italo-Shqiptare.

Shoqëria, pronare e terminalit të naftës së Vlorës deklaroi se aksidenti erdhi si pasojë e një gabimi në manovrimin e valvolave nga ana e ekuipazhit të anijes i cili shkaktoi derdhjen e naftës në det. Sasi e naftës që përfundoi në det qe e madhe dhe dallgët e çuan naftën në plazhin e Nartës.

Një grup vullnetarësh, të organizuar nga Bashkia e Vlorës dhe të ndihmuar nga mjete të Forcës Ushtarake Detare, pastruan plazhin nga mbetjet me bitium. Por dëmi i shkaktuar në florën dhe faunën ujore është i vështirë për t'u vlerësuar.

Petrolifera Italo–Shqiptare, me terminalin e saj për ngarkim-shkarkim të naftës në Vlorë, është pika kryesore hyrëse e produkteve të naftës në Shqipëri. Investim prej më shumë se 50 milionë euro, i kryer nga një shoqëri italiane gjatë qeverisë Nano, ai u kundërshtua fort nga ambietalistët.

Sipas disa mediave, Kapiteneria e Portit të Vlorës ka gjobitur anijen turke. Megjithatë, nuk kuptohet pse qeveria lejon që të funksionojë një port karburantesh pa e rrethuar zonën e portit me barrierat e nevojshme, të shpikura enkas për të ndaluar përhapjen e rrjedhjeve të pavullnetshme të naftës nga rrymat detare.

Nëse kjo lloj mase do ishte marrë nafta nga aksidenti i fundit nuk do të kishte ndotur detin e Nartës. Qeveria duhet ta detyrojë këtë investim në mënyrë që të parandalojë në të ardhmen dëmtimin e zona bregdetare me një vlerë të lartë mjedisore.

Shpërndaje te miqtë