13 korriku, dita me më shumë të infektuar të rinj që prej marsit

exit.al 13 Korrik 2020, 11:10

117 të infektuar të rinj me Covid-19 janë zbuluar në 24 orët e fundit, duke e bërë 13 korrikun si ditën me më shumë të infektuar ditorë që prej fillimit të pandemisë.

Rekordi i mëparshëm i të infektuarve ditorë ishte 93, në 11 korrik.

Ekspertët e shëndetit publik kishin paralajmëruar se në korrik pritej rritje e numrit të të infektuarve për shkak të hapjes së plotë të vendit në qershor dhe uljes së ndërgjegjësimit të qytetarëve për zbatimin e masave anti-Covid.

Të infektuarit e rinj janë:

  • 41 raste në Tiranë,
  • nga 9 raste në Shkodër e Kavajë,
  • 7 raste në Korçë,
  • nga 6 raste Pukë e Lezhë,
  • nga 5 raste Durrës e Kurbin,
  • nga 4 raste në Krujë, Mirditë e Tropojë,
  • 3 raste në Fier,
  • nga 2 raste në Kolonjë, Lushnje, Vlorë e Mat,
  • nga 1 rast në Memaliaj, Ura Vajgurore, Pogradec, Kamëz, Berat e Elbasan.

Tirana është qarku me shumë të infektuar aktivë: 635 ose sa 43 për qind e totalit të të infektuarve aktivë në gjithë vendin.

Më pas vjen Durrësi me 15 për qind dhe Shkodra me rreth 13 për qind.

Shpërndaje te miqtë