Partia Demokratike kërkon largimin e Saimir Tahirit nga posti i Ministrit të Brendshëm

exit.al 14 Maj 2016, 14:56

Partia Demokratike kërkoi sot largimin e Saimir Tahirit nga posti i Ministrit të Brendshëm. PD e akuzon ministrin Tahiri si të lidhur ngushtë me bandat kriminale e me trafikantët e drogës, mes të cilëve Emiljano Shullazin, Klemend Balilin e vëllezërit Habilaj.

Enkeljed Alibeaj, kreu i Departamentit të Sigurisë dhe Rendit, në një deklaratë për shtyp, tha:

“Projekti i madh i Tahirit ishte krijimi i një hambari të madh droge të pahasur më parë në vend. Nën drejtimin e tij mbarë territori u mboll me kanabis. Pas çdo kodre me drogë, 30 për qind e fitimeve janë të Tahirit."

Zoti Alibeaj deklaroi gjithashtu, se ministri Tahiri ka mbrojtu bandat kriminale nga drejtësia, si në rastin e Klemend Bilalit, ish drejtorit të Transportit Rajonal të Sarandës, i cili është shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar droge. Enkelejd Alibeaj tha se ministri i Brendshëm i ka pajisur këto kriminelë me pushtet e paprekshmëri.

Ndër të tjera, Zoti Alibeaj e akuzoi Zotin Tahiri se po pengon zbardhjen dhe kapjen e autorëve të disa vrasjeve në gjithë Shqipërinë.

“Janë disa vrasje pa autor sot, sepse autorët i njeh dhe i di Saimir Tairi, kanë mbrojtjen e tij. Sa kohë të jetë Ministër i Brendshëm i vendit Saimir Tahiri, bandat janë në pushtet, droga lëviz ngado , krimet kanë licensë” shtoi në fund Zoti Alibeaj.

Shpërndaje te miqtë