Ish-drejtuesi i UÇK-së Mustafa del sot para Gjykatës Speciale në Hagë

exit.al 28 Tetor 2020, 10:15

Salih Mustafa, ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka seancën e parë gjyqësore, sot, 27 tetor, rreth akuzave të Prokurorisë Speciale, për krime lufte.

Sipas Koha.net, Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se Mustafës do t’i kërkohet të vetëdeklarohet fajtor ose i pafajshëm në lidhje me akuzat që i ngarkohen.

E nëse Mustafa nuk vetëdeklarohet në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, atëherë gjykatësi i procedurës paraprake bën deklarimin e pafajësisë në emër të të akuzuarit në përputhje me rregulloren.

“Gjatë pjesës së parë të seancës, z. Mustafa do t’i kërkohet të vetëdeklarohet fajtor ose i pafajshëm në lidhje me akuzat kundër tij të paraqitura në Aktakuzën e konfirmuar, në përputhje me rregullën 92(2)(c) të Rregullores. Nëse i akuzuari nuk vetëdeklarohet në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, gjykatësi i procedurës paraprake bën deklarim pafajësie në emër të të akuzuarit në përputhje me rregullën 92(2)(f) të Rregullores”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Ndërsa, pjesa e dytë e seancës do të shërbejë si konferencë e dytë për ecurinë e çështjes.

Seanca dëgjimore e Mustafës do të mbahet në prani të prokurorit special dhe avokatit të mbrojtjes, duke filluar nga ora 15:00.

Shpërndaje te miqtë