Marine Le Pen drejton partinë e Frontit Kombëtar të ekstremit të djathtë e njihet për qëndrimet anti-evropiane dhe anti-emigrantë. Ajo ka premtuar mbajtjen e referendumit Frexit – për daljen e Francës nga Bashkimi Evropian
Në anën tjetër, Macron përfaqëson një lëvizje të re En Marche! të qendrës së majtë dhe mbron idenë e një France të hapur, më tolerante dhe më të përfshirë në çështjet e Bashkimit Evropian.
Është e pamundur të injorohet roli që ksenofobia dhe islamofobia luajtën në këto zgjedhje. Këto ishin zgjedhjet e para të zhvilluara pasi vendi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pas sulmeve të vazhdueshme terroriste në Paris e Nice. Frika e një sulmi tjetër u rrit të enjten e kaluar kur një francez vrau një oficer policie në një sulm të dyshuar si me prapavijë terroriste. Marine Le Pen e shfrytëzoi incidentin e së enjtes për t’i thënë qytetarëve se qeveria franceze nuk ishte e aftë për të mbajtur rendin. Sipas saj përgjigjia ndaj sulmeve terroriste duhet të ishte globale, ç’ka nënkuptonte largimin e shtetasve të huaj nga Franca. Ndërkohë Macron, në kundërshtim me Le Pen, ka theksuar se kërcënimi më i madh i Francës nuk vjen nga emigrantët, por nga nacionalistët. Rezultatet e sondazheve për raundin e dytë tregojnë fitoren e Macron me diferencë të madhe, 62 për qind përkundrejt 38 për qind për Marine Le Pen. Ndërkohë kandidatët e tjerë, të eliminuar tashmë nga gara, i kanë kërkuar votuesve të tyre të mbështesin Emmanul Macron në zgjedhjet e 7 majit. Nuk dihet se sa e suksesshme do të jetë fushata e të gjithëve kundër Le Pen, sidoqoftë dihet me siguri se Presidenti i ardhshëm i Francës do të jetë një hyrje e re mes partisë së majtë e të djathtë që kanë dominuar për dhjetra vite politikën franceze. Shpërndaje te miqtë
