Vrasja e Klodian Rashës: Prokuroria ndryshon akuzën në vrasje me dashje

exit.al 3 Mars 2021, 16:24

Prokuroria  e Tiranës i ka komunikuar të mërkurën Nevaldo Hajdarajt, efektivit të akuzuar për vrasjen e Klodian Rashës, ndryshimin e akuzës në “vrasje me dashje”.

Hajdaraj u akuzua fillimisht për “vrasje në kapërcimin e kufijve të mbrojtës së nevojshme” bazuar në dëshmitë e tij dhe kolegëve të pranishëm në ngjarje.

Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës në dhjetor kërkoi ndihmë nga ekspertë të gjerman, për zbardhjen e vrasjes së Klodian Rashës, pas gjetjes së një pistolete 100 metra larg vendngjarjes.

Sipas prokurorisë, Rasha ka qenë i paarmatosur në momentin e ngjarjes. Hetimi nuk ka provuar që pistoleta e gjetur të ketë lidhje me Rashën.

Në pak ditë, dosja do të dërgohet në gjykatë për seancën paraprake.

Shpërndaje te miqtë