Vetëvendosja kërkon shkarkimin e ambasadores në SHBA pas skandalit me Xhamajkën

exit.al 21 Shkurt 2020, 11:46

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka kërkuar shkarkimin e ambasadores së Kosovës në Amerikë Vlora Çitaku, pas skandalit me lajmin për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Xhamajka. Dje në mbrëmje, Presidenti Hashim Thaçi njoftoi përmes një postimi në Twitter se Xhamajka ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe se këtë lajm e kishte marrë nga ambasadorja në SHBA Vlora Çitaku:

“Lajm i mrekullueshëm! Sapo u njoftova nga ambasadorja Vlora Çitaku se Xhamajka ka njohur Republikën e Kosovës si sovran dhe të pavarur. E di se ky është një rezultat i punës së madhe dhe lobimeve për vite me radhë, përfshirë edhe Eliot Engelin. Punë e mirë. Faleminderit miq të dashur nga Kingstoni.”

Por menjëherë pas bërjes publike të lajmit, Ministrja e Jashtme e Xhamajkas Kamina J. Smith përgënjeshtroi lajmin duke shkruar në Twitter:

“Deri më sot Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën.”

Pas kësaj deklarate, deputetja Fitore Pacolli reagoi menjëherë duke thënë se nëse lajmi vërtetë ka ardhur nga ambasadorja Çitaku, ajo duhet të shkarkohet menjëherë dhe t’i kërkohet llogari. Shpërndaje te miqtë