Veliaj e quan 'aksidentale' vrasjen e Klodian Rashës

exit.al 1 Prill 2021, 18:14

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka quajtur aksidentale humbjen e jetës së Klodian Rashës, 25-vjeçari që u vra nga një punonjës policie në dhjetor të vitit të kaluar.

Gjatë një takimi zgjedhor në Kavajë, Veliaj duke folur për figurën e kryeministrit Rama si person “që është aty në momente të vështira” përmendi edhe rastin e të riut Rasha.

“Kemi qenë në familjen e Klodian Rashës, e të ndjerit që aksidentalisht humbi jetën gjatë atij konfrontimi”, tha Veliaj.

Vrasja e Klodian Rashës po gjykohet si vrasje me dashje nga gjykata e cila nuk pranoi që ajo të cilësohej si vrasje në kapërcim të kushteve teë mbrojtjes së nevojshme.

Klodian Rasha, 25 vjeç u vra me armë zjarri nga polici i njësisë “Shqiponja” në orët e para të 8 dhjetorit.

Qytetarët protestuan në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë në shenjë revolte ndaj vrasjes ende të pasqaruar të Klodian Rashës.

Për këtë ngjarje dha dorëheqjen ministri i brendshëm, Sandër Lleshaj.

Kryeministri Rama e ka quajtur më parë këtë vrasje aksidentale por babai i Klodian Rashës ka reaguar duke thënë se ajo ka qenë vrasje me paramendim.