Zjarret në pyje, Greqia ndihmon Shqipërinë me aeroplanë

exit.al 11 Gusht 2017, 13:05

Qeveria greke ka ndihmuar qeverinë shqiptare me dy aeroplanë për të luftuar zjarret në pjesën jugore të vendit. Lajmin e bën publik Komisioneri i BE-së për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhmin e Krizave Christos Stylanides përmes një  deklarate për shtyp:
"Gjatë këtij sezoni intensiv të zjarreve në pyje, shumë vende kanë kërkuar ndihmë nga vendet evropiane. Sot dëshiroj të falënderoj Greqinë për bujarinë e saj me mbështetjen ndaj Shqipërisë për herë të dytë, duke dërguar dy aeroplanë për të ndihmuar fqinjët e saj në këto kohë nevoje të madhe. Ky është një shembull shumë konkret i solidaritetit evropian dhe mbështetjes së paçmueshme të ofruar nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së."
Sistemi satelitor i Kopernikut të BE-së ka ofruar gjithashtu imazhe satelitore për autoritetet shqiptare për të drejtuar përpjekjet e tyre në kontrollin e zjarreve. Ndihma greke vjen pasi kryeministri Edi Rama pranoi në faqen e tij në Facebook, për herë të parë që nga shpërthimet e zjarreve, se "kapacitetet e shtetit mbeten të ulëta". Ai premtoi të "përmirësojë seriozisht shërbimet emergjente gjatë mandatit të ardhshëm katër vjeçar”. Shpërndaje te miqtë