Varhelyi: KE po shqyrton mënyra të reja për të luftuar emigracionin nga Ballkani Perëndimor

exit.al 23 Korrik 2020, 12:28

Eurokomisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi deklaroi të enjten se Komisioni Europian po shqyrton mënyra të reja për të ndaluar emigrantët e paligjshëm që kalojnë në BE përmes rrugë së Ballkanit.

Eurokomisioneri ka kërkuar nga Ballkani Perëndimor të marrë masa për të ndaluar këtë fenomen shqetësues për BE-në

Verhelyi po merr pjesë në konferencën ministeriale për migracionin e paligjshëm përmes rrugës së Ballkanit, e cila po zhvillohet në Vienë.

Konferenca organizohet nga Austria dhe në të marrin pjesë partnerë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe Danimarka, Greqia, Zvicra dhe Gjermania si mbajtësja e Presidencës aktuale të KE-së.

Frontex dhe Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave të Migracionit marrin pjesë në konferencë gjithashtu.

Pjesëmarrësit po diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit  për të luftuar migracionin e parregullt, menaxhimin e kufijve, luftimin e kontrabandës së migrantëve, si dhe krijimin e kapaciteteve në fushën e azilit.

Qëllimi i konferencës është të promovojë bashkëpunim praktik midis vendeve pjesëmarrëse për të adresuar sa më parë migrimin e parregullt përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor.

Në qershor 2020, pas lehtësimit të masave anti Covid-19, Ballkani Perëndimor u bë rruga e preferuar e emigrantëve të paligjshëm, për të kaluar në vendet e BE-së, sipas raportit të publikuar nga Frontex.

Në qershor, u kapën nga misioni Frontex 2050 emigrantë të paligjshëm, ose 70 përqind më shumë se në maj dhe tre herë më shumë krahasuar me një vit më parë.

Në gjysmën e parë të 2020-ës, gati 9300 emigrantë të paligjshëm u kapën duke kaluar ilegalisht kufirin për në vendet e BE-së, përmes Ballkanit Perëndimor — 73 përqind më shumë se në 6 muajt e parë të 2019-ës.

Shpërndaje te miqtë