Vaksina kundër COVID-19 mbërrin në Greqi më 26 dhjetor, thotë Micotaqis

exit.al 18 Dhjetor 2020, 19:40

Greqia do të marrë dozat e para të vaksinave kundër COVID-19 në 26 Dhjetor, tha Kryeministri Qiriako Micotaqis të premten. Ai shtoi se vaksinimet e para do të bëhen në pesë spitale të caktuara për Covid në Athinë dhe Selanik.

Në fillim, tha Micotaqis, do të vaksinohen punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe atyre të azileve për të moshuarit. Më pas vaksina do t’u jepet personave mbi 65 vjeç, që janë rreth 2,4 milionë në Greqi, raportojnë mediat vendase.

Fjalimi i Micotaqis erdhi pas një takimi të mbajtur për të diskutuar strategjinë e imunizimit të Greqisë në selinë e Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik (EODY).

Ai tha se sipas azhurnimit më të fundit të EMA, miratimi i vaksinës Pfizer pritet më 22 dhjetor.

Gjatë 24 orëve të fundit, Greqia ka raportuar 1,155 raste të reja me COVID-19 dhe 78 humbje jete ndërsa 542 persona janë të intubuar.

Shpërndaje te miqtë