Udhëheqësit e G7 takohen për krizën e Afganistanit

exit.al 18 Gusht 2021, 10:02

Udhëheqësit e vendeve të G7-tës do të takohen virtual javën e ardhshme për të diskutuar një "strategji dhe qasje të përbashkët" për marrjen e Afganistanit nga talebanët, njoftoi Shtëpia e Bardhë të martën, sipas Axios.

Afganistani është përfshirë nga kaosi që pas pushtimit të Kabulit, të dielën, me mijëra afganë që ikën nga shtëpitë e tyre. Kriza ka përforcuar thirrjet që vendet të hapin kufijtë e tyre për refugjatët afganë.

Të martën, Presidenti Biden dhe Kryeministri britanik Boris Johnson folën për "nevojën për një koordinim të vazhdueshëm të ngushtë midis aleatëve dhe partnerëve demokratikë në politikën e Afganistanit", sipas Shtëpisë së Bardhë.

Sigurimi i "ndihmës dhe mbështetjes së mëtejshme humanitare për refugjatët dhe afganët e tjerë në nevojë" ishte një nga temat e diskutimit.

Emigrantët afganë po ndërmarrin udhëtime të rrezikshme në përpjekje për t'i shpëtuar talebanëve.

Të hënën, disa vdiqën duke u përpjekur të kapeshin pas një avioni ushtarak amerikan ndërsa fluturonte.

Bashkëthemeluesi i talebanëve Abdul Ghani Baradar, udhëheqësi politik i grupit, mbërriti në Afganistan të martën për herë të parë në më shumë se dy dekada.