Turqi: Pezullohet Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut

exit.al 21 Korrik 2016, 13:31

Mediat perëndimore njoftojnë se zëvendës kryeministri turk ka pohuar se Turqia do të pezullojë përkohësisht Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ky është një akt i paprecedentë dhe i paimagjinueshëm për një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për anëtar të BE-së.

Sot në mëngjes, qeveria turke njoftoi se Presidenti Erdogan ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për një periudhë 3 mujore. Gjendja e jashtëzakonshme e lejon presidentin dhe kryeministrin turk të anashkalojnë parlamentin për miratimin e ligjeve të reja, si dhe u jep atyre të drejtën të kufizojnë të drejtat dhe liritë bazë të qytetarëve.

Pezullimi i Konventës Evropiane u heq qytetarëve turk të drejtën të ankimohen në Strasburg për shkeljen e lirive të tyre, duke bërë kështu të pacënueshëm autoritetin e presidentit turk për kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore.

Këto masa janë justifikuar me nevojën e eliminimit të pasojave të grushtit të dështuar të shtetit dhe mbylljes së çdo mundësie për rrezikimin e rendit shtetëror në Turqi.

Praktikisht ato po zyrtarizojnë klimën e dhunimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, duke i hapur rrugën pushtetit absolut të Presidentit Erdogan, i cili po e shtyn vendin drejt një diktature të mirëfilltë.

Radio Europa e Lirë sjell rezultatet e mëposhtme të operacionit të spastrimit të kundërshtarëve dhe kritikëve nga Presidenti Erdogan deri më sot:

  • 21 000 mësuesve u është hequr licensa;

  • 15 770 dekanë dhe rektorë universiteti u është kërkuar dorëheqja;

  • 15 000 mësues janë pushuar nga puna;

  • 7 500 ushtarakë janë ndaluar, përfshi 85 gjeneralë dhe admiralë;

  • 8 000 policë janë pezulluar nga detyra;

  • 1 000 policë janë arrestuar;

  • 3 000 punonjës të sistemit të drejtësisë janë pushuar;

  • 1 481 gjykatës janë pezulluar nga detyra;

  • 1 500 punonjës të Ministrisë së Financave janë hequr nga detyra;

  • 492 predikues, mësues fetarë dhe klerikë të tjerë janë hequr;

  •    393 punonjës të Ministrisë së Punëve Sociale janë pushuar;

  •    257 punonjës të Kryeministrisë janë pushuar nga detyra;

  •    100 punonjës të shërbimeve të inteligjencës janë pezulluar.

Shpërndaje te miqtë