Televizionet, reklama politike falas për partitë gjatë fushatës

exit.al 23 Maj 2017, 09:40

Televizionet private kombëtare, vendore apo satelitore do të transmetojnë falas reklamat politike gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 25 qershorit.

Ligji për këtë u miratua dje në mbrëmje, me 118 vota pro dhe 2 kundër, në seancën e jashtëzakonshme parlamentare pas marrëveshjes Rama-Basha në 18 maj, ku ndër të tjera parashikoheshin dhe ndryshime në ligjin për mediat audiovizive.

Tashmë me ligjin e ri televizionet private kombëtare, vendore apo satelitore do të vënë në dispozicion:

  • të partisë më të madhe të shumicës parlamentare dhe partisë më të madhe të pakicës parlamentare (respektivisht PS dhe PD) nga 90 minuta reklama politike,
  • të partive të tjera parlamentare (LSI, PDIU, PR, PDK) nga 45 minuta reklama politike,
  • të partive të tjera joparlamentare nga 10 minuta reklama politike.

Kostaja e televizioneve për vënin në dispozicion të partive këto minutazhë do të llogaritet si shpenzim i plotë i zbritshëm për efekte tatimore.

Çdo televizion apo parti politike që do të transmetojë reklama politike kundrejt pagesës do të dënohet me nga 3 deri në 8 milionë lekë.

Monitorimi i televiozineve dhe partive politike për zbatimin e këtij ligji do të bëhet nga Bordi i Monitorimit të Medias.

Shpërndaje te miqtë