Të rinjtë në Durrës kërkojnë drejtësi për Klodianin me arkivol në duar

exit.al 15 Dhjetor 2020, 19:54

Disa të rinj në Durrës kanë protestuar sot për vrasjen e Klodian Rashës duke përdorur simbolikën e arkivolit për të thënë se nuk po bëhet drejtësi.

Grupi i të rinjve mbante një arkivol me mbishkrime “Shpresa” dhe “Drejtësia për Klodianin”, të cilin e la përpara Drejtorisë Policisë së qytetit.

Organizatorët e këtij marshimi janë ndaluar më vonë nga policia. Sipas Balkanweb është shoqëruar kreu i FRPD-së në Durrës.

Protestat për vrasjen e 25-vjeçarit, Klodian Rasha vijojnë prej datës 9 dhjetor.

Një ditë më vonë Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, deklaroi dorëheqjen por protestuesit nuk u ndalën duke kërkuar edhe largimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.

Kryeministri Rama nuk e ka pranuar këtë kusht të protestuesve. Policia gjatë protestave i ka shpërndarë ata me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Mbi 300 persona u shoqëruan për katër protestave të datave 9-12 dhjetor.  Gjykata ka vendosur të lërë në “arrest me burg” 11 prej tyre.

Shpërndaje te miqtë