Spanja nis vaksinimin, e para një 96-vjeçare

exit.al 27 Dhjetor 2020, 21:11

Një 96-vjeçare, Araceli Rosario Hidalgo, është spanjollja e parë që u vaksinua, të dielën, teksa Spanja nisi vaksinimin e popullsisë me vaksinën e kompanive Pfizer dhe BioNTech.

"Le të shohim nëse mund ta heqim qafe këtë virus", tha ajo disa minuta pasi mori dozën e parë të vaksinës.

Spanja nisi vaksinimin me grupet e të moshuarve që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve.

Pas dozave të para që u administrohen të dielën, në mënyrë simbolike në të gjitha rajonet e vendit, secili prej rajoneve do të marrë dozat që i takojnë në proporcion me numrin e qytetarëve në grupet e përparësisë sipas planit të vaksinimit: banorët në shtëpitë e të moshuarve, kujdestarët e tyre, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe të moshuarit me shumë sëmundje.

Në total, qeveria spanjolle shpreson të vaksinojë gati 2.3 milion njerëz përpara pranverës.

Shpërndaje te miqtë