Shqiptarët të pakënaqur me ekonominë familjare, për 50% problem papunësia

exit.al 16 Shtator 2021, 22:18

Qytetarët vlerësojnë ekonominë si shqetësimin e tyre kryesor pasi vetëm 23% e tyre e shohin të mirë gjendjen ekonomike të familjeve të tyre ndërsa 48% e shohin situatën e përgjithshme ekonomike si të keqe.

Shifrat e publikuara në emisionin Barometri në Euronews Albania tregojnë se ekonomia familjare vlerësohet shumë mirë vetëm nga 1% e qytetarëve ndërsa 33% kanë këndvështrim negativ.

Papunësia sipas qytetarëve është një nga faktorët kryesorë që ndikon ekonominë e tyre.

49% e shqiptarëve e shohin papunësinë si prioritet kombëtar. Kjo është shumë më e theksuar në grupmoshën 35-44 vjeç që përbën profesionistët.

Të shqetësuar në një normë të lartë ishin gjithashtu dhe moshat 25-34 dhe 45-54 vjeç.

Sondazhi zbuloi se votuesit e Partisë Socialiste ishin më optimistët për ekonominë familjare pasi përbënë 38% të përgjigjeve ishin shumë mirë dhe mirë.

Votuesit opozitarë ishin më pak të kënaqurit me 9% të përgjigjeve pozitive, ndërsa 15% e të tjerëve ishin neturalë.

Sondazhi pyeti 1000 qytetarë në zona urbane dhe rurale të Shqipërisë nga intervista ballë për ballë në periudhën 10-28 gusht 2021.