Ekonomia, papunësia dhe korrupsioni shqetësimet kryesore të shqiptarëve

exit.al 16 Shtator 2021, 21:51

Ekonomia, papunësia dhe korrupsioni janë shqetësimet kryesore të shqiptarëve, sipas sondazhit të emisionit Barometri në Euronews Albania, duke përcaktuar kështu edhe çështjet të cilat presin qytetarët të adresohen nga qeveria.

Rezultatet e sondazhit, i cili pyeti 1000 persona gjatë muajit gusht, identifikojnë si çështje me më pak interes taksat, droga, drejtësia, COVID-19, mjedisin dhe nivelin e krimit.

Shëndetësia dhe emigrimi janë gjithashtu dy çështje të cilat rreth 30% e qytetarëve i konsiderojnë shqetësuese në Shqipëri.

Të pyetur si e gjykojnë situatën e vendit në përgjithësi qytetarët u shprehën pesimistë, pasi 43.3% thanë se e shohin atë si disi dhe shumë të keqe, ndërsa 37% ishin neutralë dhe vetëm 19.5% e shihnin si pozitive.